Kurti bisedon me Chollet për dialogun me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, për dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Kjo bisedë telefonike mes Kurtit dhe Chollet zhvillohet tre ditë para se kryeministri kosovar dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve në Bruksel, shkruan REL.

“Gjatë kësaj bisede, kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kurtit.

Sipas njoftimit, Kurti i ka thënë Cholletit se për raporte normale me Serbinë, përveç njohjes reciproke, që sipas tij duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje finale, “duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare”.