Kreu i BDI, Ahmeti për RTK: RMV sot kishte moment historik, u hap rruga për integrimin europian

Miratimi i propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i hapi rrugë këtij vendi për integrimet evropiane. E një vendim të tillë kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e ka vlerësuar si një arritje historike për Maqedoninë e Veriut.

“Pa dyshim ky është një moment historik për bashkëqytetarët tanë maqedonas në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky projekt ka marrë mbështetje të të gjithë Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ka marrë mbështetje edhe nga shtetet e rajonit si Shqipëria, Serbia e Greqia. Ky është një moment pa dyshim shumë i rëndësishëm”, ka theksuar Ali Ahmeti në RTK Prime.

Sipas tij me këtë marrëveshje do të njihet gjuha maqedonase, do të njihet identiteti dhe historia maqedonase si dhe mori drejtim të mirë legjitimimi i Kishës Maqedonase, duke u njohur nga krahu i kishës ortodokse në Stamboll, por edhe nga Kisha Ortodokse Serbe.

“Ky është një moment ku ne i kemi bërë përpjekjet që të kemi zero problem me fqinjët dhe kjo ka qenë një qasje për të cilën ne kemi punuar dhe jemi angazhuar mjaft”, ka shtuar Ahmeti.

Sa i përket reagimit të ashpër të opozitës maqedonase e cila miratimin e propozimit francez e quajti tradhti dhe deputetët e të cilës madje për pak sa nuk e sulmuan edhe fizikisht kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, kreu i BDI-së ka thënë se opozita maqedonase një gjë të tillë po e shfrytëzon për politika ditore dhe për të rritur ndikimin e saj në elektorat.

“Ky thjesht është një manipulim i elektoratit sepse mendoj që e kaluara është lënë pas krahëve. Nëse dikur para 20 vjetëve këtu janë manipuluar qytetarët me politika nacionaliste dhe patriotike, gjërat sot kanë ndryshuar. Duhet të jemi racionalë dhe ky moment duhet shfrytëzuar nga të gjithë ne dhe partitë politike, në këtë rast ato opozitare maqedonase duhet të jenë racionale. Duhet të jenë komunikuese dhe bashkëpunuese me partitë politike vendore, por edhe me komunitetin ndërkombëtar, sepse nuk i dilet përballë as Evropës dhe as të gjithë forcës progresive të komunitetit ndërkombëtar. Prandaj, mendoj që qasjen e kanë tepër të gabuar”, është shprehur Ahmeti.

Lidhur me atë nëse ka pasur rrezik për eskalim të situatës, duke pasur parasysh edhe protestat që kanë ndodhur jashtë Kuvendit, por edhe tensionet brenda sallës parlamentare ku është djegur në mënyrë figurative propozimi francez, i pari i BDI-së ka thënë se nuk ka pasur ndonjë rrezik.

“Nuk ka pasur rrezik. Ata kanë shprehur revoltë të momentit. Mendoj që është edhe moment dëshprimi sepse numri i protestuesve dita-ditës po binte sepse ditën që është votuar draft-dokumenti jashtë parlamentit kanë qenë 43 njerëz që kanë protestuar, derisa fillimet kanë qenë me një pjesëmarrje më të madhe deri në 12 mijë njerëz, derisa fundi erdhi në 43 njerëz”, ka nënvizuar Ahmeti, sipas të cilit edhe elektorati i opozitës e ka mirëkuptuar propozimin francez dhe ka reflektuar.

https://www.facebook.com/watch/live/?ref=external&v=1036854513869137

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet