Është e vërtetë se kryetarja e Këshillit Gjyqësor, e cila dha dorëheqje, Pavlina Cërvenkovska, ka paraqitur disa kualifikime për ekzistimin e presioneve apo ndikimeve politike ose afariste, dhe ka në dispozicion të gjitha institucionet në vend ku mund ta raportojë këtë, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ndërsa në pjesën e prokurorisë, kryeministri theksoi se atë që ata konsiderojnë se është jashtë kompetencave që duhet të kenë disa institucione apo organizata të tjera, të njëjtën duhet ta raportojnë në vendin ku është raportimi.
“Është e vërtetë që kryetarja e Këshillit Gjyqësor që dha dorëheqjen ka paraqitur disa kualifikime. Por në dispozicion të saj janë të gjitha institucionet në shtet, ku ajo mund të raportojë nëse ka pasur presione apo ndikime politike ose afariste, siç tha në dorëheqjen e saj”, tha Kovaçevski në përgjigje të pyetjes pas përfundimit të punimeve ndërtimore për gazsjellësin kryesor, seksioni Negotinë- Manastir.
Kryeministri theksoi se Qeveria i përmbush të gjitha obligimet dhe kompetencat e saj në drejtim të ofrimit të kushteve për një gjyqësor të pavarur dhe prokurori të pavarur.
Kjo do të thotë, siç tha ai, se në buxhet janë të parapara të gjitha mjetet financiare që i nevojiten gjyqësorit dhe prokurorisë dhe të gjitha vendimet ligjore që është e obliguar t’i marrë Qeveria janë marrë dhe janë dërguar në Kuvend.
“Një pjesë e atyre ligjeve janë miratuar dhe fatkeqësisht një pjesë e mirë e atyre ligjeve nuk janë miratuar për shkak të bllokadës që po bën opozita. Në tri vitet e fundit të krizës, shteti nuk ka reduktuar fare investimet kapitale në gjyqësor dhe në prokurori”, shtoi Kovaçevski.
Ai mendon se gjyqësori, duke marrë parasysh se është i pavarur, duhet të ketë një organ që në mënyrë hierarkike të jetë mbi të dhe që vlerëson punën e tij.