Kompania gjermane KIEL vjen me investim nëntë milion euro, Ahmeti: Investimet dhe punësimet e reja janë në fokus të agjendës tonë

Kompania gjermane KIEL zyrtarisht do të nis me investimin e saj prej 9 milion eurove duke mundësuar krijimin e 300 vendeve të reja të punës.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi si dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski kanë qenë sot të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes për këtë investim kapital.

Ahmeti përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, shkruan se krijimi i vendeve të reja të punës dhe investimet e reja në tregun e Maqedonisë së Veriut, janë gjithmonë pjesë e agjendës zhvillimore të vendit.

Postimi i plotë:

“Investimet e reja që kanë fokus hapjen e vendeve të reja të punës kanë qenë gjithnjë në agjendën tonë. Sot, me kënaqësi mora pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes me kompaninë gjermane KIEL për prodhimin e sediljeve për automjete komerciale dhe transport publik, një investim i ri prej 9 milionë euro, që do të krijojë 300 vende të reja të punës (150 në fillim dhe 150 të tjera deri në fund të investimit). Krahas krizës ekonomiko-energjetike që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë por edhe mbarë kontinentin europian, investime të tilla janë gjithnjë të mirëseardhura sepse me këtë tregojmë se Maqedonia e Veriut është një partner i sigurtë për investitorët e huaj duke siguruar klimë të mirë të biznesit, derisa në anën tjetër zhvillojmë ekonominë lokale dhe përmirësojmë standardin e qytetarëve.”, shkruan Ahmeti.