Reshjet e dendura të shiut që kapluan sot të gjithë territorin e vendit e me theks të veçantë zonën e Pollogut, shkaktuan përmbytje nëpër shumë qytete.
Reshjet e dendura të shiut që vërshuan qytetin e Tetovës dhe fshatrat përreth e kanë kapur të papërgatitur komunën e Tetovës. Këtë e pranoi vetë kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami.
Në prononcimin e tij, Kasami u duk sikur i dorëzuar.
“Situata në terren tregon se komuna nuk ishte aspak e gatshme për situata të tilla. E them edhe një herë që situata është konstatuar shumë më herët nga ekipet, sidomos për gjendjen e kanalizimeve, por nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Tashmë në situatën në të cilën ndodhet komuna financiarisht, ne nuk kemi komoditet të ndërhyjmë edhe pse është e nevojshme. Sidoqoftë do të gjejmë mënyrën për t’i ndihmuar qytetarët”, tha Kasami.
Ndryshe, mot me shi dhe breshër ka mbajtur dhe në fshatrat e Tetovës, me ç’rast ka pasur dhe rrëshqitje të dheut dhe bllokim të rrugëve.