Shkupi e tërheq gjithnjë për shkak të viteve më të bukura që ka kaluar duke u ngjitur në karrierë, duke ia kushtuar edhe tri këngë të bukura-Kujtime të paharruara nga koha kur këndonte në shoqëritë “Ibe Palikuqa” dhe “Emin Duraku”.-E përmbushur me karrierën dhe gjënë më të çmuar, familjen.
E pranoi me shumë dëshirë këtë intervistë për vitin e ri. Ajo është ikona e këngës shqipe në Maqedoni dhe më gjerë, me një karrierë të shkëlqyer, me një repertor këngësh që të bëjnë për vete me zërin e saj të bukur dhe shpesh me këndimin melankolik. Miranda Hashani është e njohur si shkupjane, por kjo nuk është tamam vërteta e plotë. Shkupin e ka në zemër, ku ka kaluar vitet më të bukura të jetës, sikundër edhe çerdhet e saj ku të tjera, ka çuar jeta, por ka lindur në Paris. Ajo i mungon Shkupit, se ka vite që është e ludhur jetësisht me hapësira tjera gjeografike, ku vazhdon me shtegtimin frymëzues të këngës, por i kthehet vazhdimisht për shkak të familjes, miqve…
Ja për fillim rrëfimi i saj në vetë të parë në këtë intervistë ekskluzive për portalin Arsalbanica.mk:
“Kam lindur në Paris, e kthyer që në moshë të vogël në Shkup. Kam jetuar ne lagjen Çair ku kam mbaruar kopshtin dhe shkollën fillore në “Penko”, ndërsa të mesmen e fillova ne gjimnazin “Zef Lush Marku” dy vite dhe pastaj përfundova në Tetovë, në shkollën e mesme të mjekësisë, “Nikolla Shtejn”. Studimet i kam mbaruar ne Universitetin e Tetoves ne Fakultetin e Artit Figurativ dega Dizajn-Grafik. Me këngën kam filluar që në moshën 10 vjeçare, si pioniere ne SHKA “Ibe Palikuqi”, ku kam qene edhe si valltare për disa vite me rradhë. Talentin tim e zbuloi mësuesja ime Sanie Hoxha (bashkëshortja e kompozitorit Ismail Hoxha), pastaj edhe arsimtarja e muzikës, Drita Kryeziu, dhe për 4 vite isha pjesë e korit të shkollës si soliste. Ne SHKA “Ibe Palikuqi” te parët që më dhanë shtytjen për këngën ishin drejtuesi i orkestrës, Bekim Ajdini dhe këngëtari Alajdin Kadriu, me të cilin kemi disa duete bashkë. Njëherazi nga të dytë kam mësuar edhe teknikën e këndimit, që është bazë për një këngëtar. Kryetari i atëhershëm i shoqërisë, ndjeri Alush Hamidi për mundësinë që na e dha ne të rinjve për të shprehur e treguar talentet tona ne këngë, valle e teatër. Shume koncerte, festivale e emisione muzikore kemi realizuar bashkë e me vone edhe me SHKA “Emin Duraku”. Ishin këto vatra artistike ku kultivohej atë kohë kënga e vallja e bukur shqipe, duke e ruajtur origjinalitetin dhe tradicionalen qe kalonte brez pas brezi e vazhdon edhe sot. Kisha fatin dhe u jam shume falënderuese e u përkulem të gjithë atyre që më mbështetën e ma bënë më të lehtë rrugën time në karrierën artistike. Në vitin 1990 fillova dalëngadalë të shkëputem nga këto vatra, për te vazhduar ëndrrën time si këngëtare profesioniste. Kam shumë nostalgji për atë kohë. Ne vitin 1998 e lë Shkupin tim që më dha aq shumë e më lindi si këngëtare, po ashtu ku gjeta dashurinë time te jetës, Mentorin, e bashkë shperngulemi në Prishtinë.”
Miranda, të njohim si këngëtaren tonë shkupjane, por që ka ikur nga “çerdhja” e vet, ku kthehet kohë pas kohe…Ku gjendesh momentalisht?
Miranda: E vërtetë, unë shpesh them, do te shkoj ku shkoj, por unë do të vdes si shkupjane, as si parisiene, as si prishtinase. Ne Shkup vij shume shpesh edhe pse ka vite qe jetoj në Gjermani. E dua vendin tim aty ku çdo skaj e mes më ngjall kujtime të panumërta.
Përmendëm Shkupin dhe kuptohet nostalgjinë që sigurisht ke për kohën e kaluar këtu, për fëmijërinë, për rininë…Sa të frymëzon në jetë dhe në krijimtari, duke pasur parasysh se në të paktën dy këngë tua, i ke kënduar me shumë dashuri.
Miranda: Janë tri këngë qe ia kam kushtuar Shkupit me tekste të mikut tim, Avni Qailit, i cili vazhdon të jetë bashkëpunëtori im më i ngushte që më ka mbështetur pareshtur , poashtu edhe një tekst tjeter nga Agim Doçi.
Kam nostalgji pafund, kjo ndoshta pse kam kohë që i rri larg vendit tim, por asnjëherë të le të mallëzohem shumë, prandaj kthehem shpesh, kam një dashuri të papërshkruar për vendin, për njerezit e mi.
Një nga këngët është edhe “Shkupi dardan”, bashkë me disa kolegë tu, si Visari, Besiana, dhe Shkodrani…Duket se me shumë ndjenja i jeni qasur kësaj kënge, veçanërisht ti si shkupjane…Çfarë përjetimi të punosh në këtë këngë që dukej se kishte diçka misionare?
Miranda: Po, një këngë me një domethënie shumë të madhe, ku e promovuam për nder te çlirimit te Shkupit tonë, atëherë kur ishte i shqiptarëve. Bashkë me Avniun, Shkodranin, Visarin e Besianën, nëpërmjet këngës dhamë një mesazh që Shkupi ynë është dardan dhe do te mbetet përgjithmonë.
Sa të mungojnë vitet kur trasoje rrugën e afirmimit përmes shoqërisë “Ibe Palikuqi”? Kë do të kujtojë nga ajo kohë që ka pasur ndikim në karrierën tënde?
Miranda:E tregova me larte ne hyrje si përshkrim për të gjithë ata që më mbështetën. Atë kohe në shoqëritë kulturore e kujtoj shpesh se është e pashmangshme, kam kujtime pa fund. Sot kanë ndryshuar shumë gjëra, jo vetëm në kulturë, në çdo gjë. Unë e dua më shumë atë kohë, sepse ka pasur me shume vullnet për gjithçka, me shumë dashuri me shume mund e sakrifica.
Ti je një nga zërat më të bukur të këngës shqipe dhe mund të ketë shumë këngëtare të reja që do të donin të këndonin si ti. Po ti kur fillojë si kush doje të bëheshe, kush të frymëzonte?
Miranda: Faleminderit shumë për fjalët e mira që shprehni për mua gjithmonë, kënaqësi e përmbushje shpirtërore. Unë dikur ëndërroja të ecë shtigjeve të Fitnete Rexhës, Merita Halilit, Parashqevi Simakut e Nexhmije Pagarushës…
Pas kaq vitesh me këngën, sigurisht se ka ca njerëz të cilët do t’i kishe veçuar si bashkëpunëtorë ose shtytës në ngritjen tënde profesionale…Kë do të kishte veçuar prej tyre?
Miranda: Fillimisht, do t’i falënderoja prindërit e mi të çmuar, sepse pa ata nuk do të isha kjo që jam sot, pastaj mësueset e mia, drejtuesit e orkestrave në shoqëritë kulturo artistike, mediumet në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët, kompozitorët, poetët, gazetarët, për te veçuar nuk do te mundesha, sepse lista e atyre që kam bashkëpunuar deri sot, e që kanë dhënë shume në këtë rruge time, është e gjatë, shumë emra të njohur në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e më gjerë, publiku im i shtrenjtë pa të cilët unë nuk do te ekzistoja në skenë.
Tash po e përmbyllim këtë vit stresues për shumëçka, por si e konsideron ti në planin artistik? Çfarë të solli ty?
Miranda: Vitin 2022 po e përmbyll me shume aktivitete, bashkëpunime. Dy koncerte, një ne Shkup për nder të ditës se çlirimit të Shkupit qe u mbajt ne Saraj tek sheshi “Isa Boletini”, e tjetri në Prishtinë ne kuadër të festivalit “Etno Fest”, të mbështetura nga ministritë e kulturës të dy shteteve. Një koncert tjetër e ftuar për herë të parë nga një institucion gjerman, komuna Weil am Rhein, në Ditën e Kombeve që jetojnë ne atë rreth. Një duet me Alban Jasharin dhe një solo, realizuar me Avni Qahilin, një nga bashkëpunëtorët e mi më të afërt që nuk më është ndarë kurrë që nga fillimi i karrierës time dhe vazhdojmë rrugën bashkë. Mbrëmje e ndeja të ndryshme private, pa harruar dasmat që është kënaqësi të këndosh në familjet, aty ku nis një jetë e re plot dashuri dhe bëhem pjesë e kujtimeve të tyre.
A punon në ndonjë projekt të ri ambicioz muzikor? Kur mund të presim ndonjë gjë të re prej teje?
Miranda: Ne shkurt do te jete projekti i ri muzikor me një këngë dhe videoklip. Është këngë e Avniut dhe e kemi titulluar “Sa shume kemi për të pirë”.
Sa e dimë, ti në edukimin shkollor je përgatitur për t’u bërë mjeke një ditë, bile dhe ke punuar një kohë, por kënga të largoi. A të mungon ai profesion?
Miranda: Po, unë kam mbaruar shkollën e mesme të mjekësisë, jam motër medicinale dhe jam shume e lumtur ndonjërë kur mund t’u dal ne ndihmë te sëmurëve, nuk e kam harruar si profesion e ushtroj ndonjëherë tek njerëzit e mi dhe atyre qe kërkojnë ndihmë. Kjo don të thotë qe e bej dhe këtë pune kohe pas kohe dhe nuk me mungon.
Një nga shkaqet për ta lënë vendlindjen, janë shtigjet e jetës dhe familja. Sa të përmbush familja?
Miranda: Familjen e kam mbi çdo gje dhe jam e gatshme per te te sakrifikoj gjithçka. Eshte me e shenjta qe kam. E permbushur dhe e lumtur pafund me Mentorin dhe djemt e mi Donin e Detin. Kjo me ben dhe me jep fuqine qe te shkelqej e te kam sukses ne punën qe bej. Jetojme ne Gjermani ka vite por ne Shkup e Prishtine vijmë shpesh.
Europa me nuk eshte larg e as nuk i thuhet më gurbet. Ngado që të nisesh me aeroplan, per dy ore e pak arrin këtu.
Çka pret nga viti 2023, çka do të dëshiroje?
Miranda: Nga 2023 pres te realizoj planet e mia, ato të cilat i kam te projektuara. Shpresoj t’i realizoj me lehtësi sepse vullnetin dhe dashurinë e kam për këtë profesion qe e kam ne shpirt e zemër për t’i kënaqur ata që presin me padurim këngët e mia.


