Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, ka thënë se Kosova duhet të marrë shembullin e shtetit tij në mbylljen e çështjeve të hapura dhe rrugën për të ardhmen evropiane. Sipas tij, nuk ka zgjidhje tjetër përveç njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, derisa shoti se ky është përfundimi të cilin e mbështet dhe e pranon Maqedonia e Veriut.
Grubi tha se duhet marrë shembull Maqedonia e Veriut në çështjen që kishte me Greqinë dhe Bullgarinë, zgjidhja e së cilave i hapi rrugë vendit drejt Bashkimit Evropian.
“Elita politike në Kosovë dhe elita politike në Serbi duhet të marrin shembullin e Maqedonisë së Veriut si dhe Greqisë dhe Bullgarisë në mbylljen e kontesteve dypalëshe bilaterale në mënyrë që të hapet rrugë për të ardhmen… Nuk ka zgjidhje tjetër për çështje të hapur në Evropën Juglindore midis Prishtinës dhe Beogradit pa njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Serbisë. Ky është rezultati përfundimtar të cilin ne e mbështesim dhe është i vetmi të cilin ne e pranojmë”, tha Grubi në një intervistë për KosovaPress.
Numri dy në Maqedoninë e Veriut tha se Prishtina, Tirana dhe Shkupi duhet të koordinohen më shumë në politikën e jashtme dhe se sipas tij, janë vonuar në këto përpjekje.
Ai përmendi edhe nismën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në kërkesën e tij për të hedhur poshtë akuzat për trafikim të organeve, të cilat janë miratuar disa vjet më parë në Këshillin e Evropës në kuadër të raportit të Dick Martyt.


