Teleskopi Hapësinor “James Webb” ka nisur të hapet ndërsa qetësohet 1.6 milion kilometra larg Tokës. Observatori ndau selfien e parë nga hapësira pas testimit të pasqyrës ikonike të artë dhe kamerës së afërt me rreze infra të kuqe.
Webb ka qenë në procesin e ftohjes dhe rreshtimit të segmenteve të pasqyrës që nga 2 shkurti, pasi arriti pikën orbitale përtej hënës më 24 janar.
Teleskopi u nis në hapësirë më 25 dhjetor dhe do të shërbejë si observatori më kompleks dhe më i fuqishëm i NASA-s deri më tani, transmeton Telegrafi.
Nëse imazhet duken pak të paqarta, kjo është e pritshme, thanë anëtarët e ekipit të Webb, raporton cnn.
Tani për tani, teleskopi është ende në fazën e vënies në punë përpara se të fillojë mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimeve shkencore këtë verë, kur pritet të publikohen imazhe të reja verbuese të universit tonë.
Imazhet si ato që NASA shpërndau mund të ndihmojnë ekipin e Webbit që të sigurohet se pasqyrat janë të përafruara në mënyrë perfekte përpara se observatori t’i bëjë vështrimet ekzoplaneteve dhe galaktikave të largëta, duke ndryshuar përgjithmonë mënyrën se si ne e shohim universin.
Gjatë muajit të ardhshëm, rregullime të kujdesshme do të bashkojnë segmentet e pasqyrës, në mënyrë që ato 18 pika të bëhen një imazh i një ylli të vetëm.
Mozaiku prej 18 pikash është rezultat i Webbit që ka kapur 1560 imazhe për 25 orë, megjithëse observatori ishte në gjendje të gjente yllin gjatë gjashtë orëve të para dhe duke përdorur vetëm 16 imazhe. 18 pikat janë vetëm qendra e një mozaiku gjigant me më shumë se dy miliardë piksele.
Orbita e Webbit do ta mbajë teleskopin në linjë me Tokën ndërsa planeti ynë rrotullohet rreth diellit. Kjo shtrirje mbron teleskopin nga nxehtësia e lëshuar nga dielli, Toka dhe madje edhe hëna.
Është e domosdoshme që teleskopi të qëndrojë i ftohtë sepse do të vëzhgojë universin në dritën infra të kuqe dhe do të zbulojë sinjalet më të dobëta nga objektet në universin tonë të largët. Për shkak se drita infra e kuqe mund të zbulohet si nxehtësi, e gjithë anija kozmike duhet të mbrohet nga burimet e ndritshme të nxehtësisë.
Anija kozmike përfshin një mburojë dielli me pesë shtresa për të mbrojtur pasqyrën gjigante dhe instrumentet e Webbit nga rrezet e diellit.
Pajisjet e Webb duhet të mbahen në minus 223 gradë Celsius për të funksionuar.
Disa nga instrumentet e Webb duhet të jenë edhe më të ftohta për të funksionuar, kështu që ato do të vazhdojnë të ftohen gjatë muajve të ardhshëm.
Imazhet e ardhshme të kapura nga Webb do të bëhen më të qarta dhe më të detajuara ndërsa anija kozmike ftohet dhe pasqyrat rreshtohen. /Telegrafi/