Hoxha kosovar: Estrada jonë po shkojnë në haxh mirëpo vazhdojnë bëjnë muzikë duke u inspiruar nga “shejtani”

“Prej një reperi kosovar dalin tre hoxhallarë” – është thënia e njohur në rrjete sociale. Por, a është e vërtetë? Epo…

Imazhet e ndonjë artisti të estradës që viziton qytetin më të bekuar të islamit, Mekën, janë shndërruar në diçka gati, gati të zakonshme në rrjetet sociale.

Kosova, si vend me mbi 90% të popullsisë që identifikohen si myslimanë, gëzon një reputacion simpatik për tolerancën ndërfetare që ka treguar tradicionalisht dhe historikisht. Disa i përmbahen, e disa nuk i përmbahen fare por prapë identifikohen si myslimanë. Prandaj, natyrshëm, edhe pjestarë të komuniteteve jo të përqafueshme nga feja, siç janë këta të estradës, nuk mund t’i rezistojnë vizitës në tokën e shenjtë të islamit.

Është aq e shenjtë, sa lutjet bëhen me drejtim pikërisht nga Qabja – ndërtesë në qendër të xhamisë më të rëndësishme të islamit në Mekë – pa marrë parasysh pozitën gjeografike të lutësit.

Sidoqoftë, prej Gold AG e Mozzik, që vizituan Mekën, deri te Shkëndije Mujaj e Mc Kresha të cilët janë mbuluar respektivisht kanë thirrur ezanin (thirrje islame për lutje në xhami), artistët në periudha të ndryshme i kemi parë derisa shfaqin lidhjen e tyre me fenë islame, qoftë me vizita në vende të bekuara, qoftë edhe akte të tjera si falja e mbulimi.

Mozzik / Të flasim pak për Mozzikun: Ka kohë që ka mbetur pa identitet artistik, ‘bespreme’ është thjesht ofenduese
“Çdo njeri ka nevojë permanente t’i kthehet Krijuesit, i Cili e krijoi atë dhe në dorën e të Cilit është gjithçka e tij”, më tha në një diskutim hoxhë Rasim Haxha, në përgjigjen të cilën ia publikova pa ndërhyrje.

Hoxha në fjalë tutje më tregoi se nevoja në fjalë është edhe “kërkesë shpirtërore”, e cila edhe mund të neglizhohet për shkak të profesionit të besimtarit, mirëpo mbetet një e tillë që “assesi nuk mund të përmbushet në forma tjera”.

Tutje, ai po më tregonte se edhe ata që e gjejnë veten duke bërë atë që është në kundërshtim me rregullat dhe parimet e fesë islame, po ashtu herët apo vonë e ndjejnë nevojën të bëjnë atë që ai e përshkroi si “kthim”.

Derisa po nënvizonte format e “kthimit”, Haxha potencoi:

“Ky kthim bëhet përmes dy formave:

– Duke iu kthyer kryerjes së obligimeve fetare, të cilat nuk i kryente më parë.

– Duke hequr dorë nga mëkatet në të cilat ishte i zhytur”.

Por, çka ndodh nëse një mysliman vendos vetëm për njërën dhe injoron tjetrën, siç ndodh me pjestarë të estradës, të cilët vazhdojnë të kryejnë veprimtaritë e tyre pas rrugëtimeve spirituale në vendet e shenjta?

“Ai që ishte i zhytur në mëkate, por edhe larg Allahut, ka nevojë të afrohet tek Allahu me kryerjen e obligimeve, sikurse ka nevojë te heq dorë nga mëkatet. E nëse vetëm njërën prej këtyre dyjave e bën, atëherë kthimi tek Allahu nuk është i kompletuar, por nuk është edhe i pavlerë”, shtoi Haxha.

Një lajm i mirë dhe një i keq për Mozzikun, Mc Kreshën dhe Gold Ag-në, të cilët duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë asaj që tha hoxha më poshtë.

“Dhe dije mirë se: Kënga e muzika janë inspirim i shejtanit, ndërsa udhëzimi në rrugë të drejtë është inspirim i Allahut, e këto të dyja e kanë vështirë të bashkëjetojnë në një zemër. Me doemos se njëra do ta përjashtojë tjetrën, e ti bëhu i (e) fortë dhe ndihmoje inspirimin e Allahut që ta largojë nga zemra jote inspirimin e shejtanit”.

Pra, ja ku e keni, zonja dhe zotërinj. Qe çka thotë islami për artistë kosovarë të cilët vazhdojnë veprimtarinë e tyre të papërkrahur nga islami, njëkohësisht duke “flirtuar” me fenë e dytë më të popullarizuar në botë.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet