Shkup, 26 tetor – Me ligjëratë për përgatitjen e kafshëve dhe vendbanimeve të tyre për dimër dhe natyrën si frymëzim i përjetshëm artistik, sot në Kopshtin Zoologjik në Shkup do të lëshohet në përdorim klasa Hallki në hapësirë të jashtme.
Punëtoritë janë të destinuara për fëmijët e moshës shkollore, mentorë do të jenë edukatorë nga kopshti zoologjik dhe artistë figurativ, ndërsa moderatore është Matea Jankovska, aktore nga Teatri për fëmijë dhe të rinj.
Seria e punëtorive mbahet me rastin e muajit tetor – muaji i kursimit, ndërsa organizator është “Hallkbank” SHA Shkup, e cila së fundi ia dhuroi kopshtit zoologjik klasën e jashtme.
“Ideja është që hapësira të ketë karakter multifunksional, të shërbejë si klasë në të cilën do të zhvillohen punëtori interesante kushtuar natyrës, ekologjisë, njohjes me kafshët, nevojave dhe zakoneve të tyre, si dhe njohjes me rolin e njeriut në botën e gjallë,” tha me rastin e donacionit Maja Naumovska Saveska nga “Halkbank”.
Në kuadër të punëtorive, përfaqësues të Bankës do të prezantojnë një leksion mbi rëndësinë e kursimit, si dhe mbi avantazhet e hapjes së një depozite për fëmijë.
Deri në fund të tetorit janë paralajmëruar edhe disa aktivitete dhe surpriza të tjera për të nxitur edukimin financiar tek popullata.