Në Spitalin e përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” sot është hapur qendra e re diagnostikuese e pajisur me aparaturë për rezonancë magnetike. Pajisjet janë blerë në kuadër të Programit për racionalizimin e menaxhimit dhe modernizimin e teknologjisë biomjekësore në sektorin e shëndetësisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Italisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, si dhe ambasadori italian Andrea Silvestri.
Kryeministri Kovaçevski shprehu kënaqësinë e tij për bashkëpunimin me Italinë, duke theksuar se investimet në shëndetësi nuk ndalen as në krizë. Kovaçevski thekson se me këto aparatura do të rritet numri i pacientëve që do të marrin shërbime në baza ditore. Një nga prioritetet e Qeverisë është shëndetësia”, tha Kovaçevski, duke theksuar se aparaturat menjëherë vihen në përdorim, janë rritur pagat e mjekëve dhe bëhen investime të barabarta në të gjitha rajonet.
Ministri i Shëndetësisë theksoi se pajisjet janë blerë në kuadër të një furnizimi më të madh të disa aparateve në vlerë të përgjithshme prej 1.1 milionë eurove, ndërsa për dy aparatet e rezonancës magnetike vlera arrin në 754.168 euro dhe është realizuar në kuadër të Programit për racionalizim të menaxhimit dhe modernizimit të teknologjisë biomjekësore në sektorin e shëndetësisë, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane.
“Tashmë është duke u zhvilluar trajnimi i stafit nga trajnues nga Italia dhe fillimisht pritet që frekuenca të jetë 15 pacientë në ditë”, tha Sali.