Shumë të frytshme dhe të dobishme i llogarit Artan Grubi debatet brenda BDI-së, duke sqaruar raportin mes ekzekutivit të kësaj partie dhe disa prej të pakënaqurve brenda partisë. Në Klan Debat, Grubi u shpreh se vetëm për tre javë që nga mbledhja e parë janë realizuar 7 apo 8 projekte.
“Sa herë që në BDI ka ndonjë ngjarje, menjëherë arrin të jetë në qendër të vemendjes. Kështu ka ndodhur edhe me mbledhjen e fundit duke falenderuar gazetarët dhë qytetarët që janë mishëruar më BDI-në dhe po përcjellin dhe lëvizjet më të vogla. Nuk u diskutua diçka e veçantë, përveç situatës aktuale politike në vend dhe rajon e poashtu dhe raportet nga kuadrot qeverisës. Nga çdo takim arrijmë të dalim më konkluza për çështje që duhet bërë, prandaj nga mbledhja e kaluar, pra në afat 3 javor kemi arritur të çojmë përpara projekte kapitale që për çështje administrative ishin vonuar. Shkarkimet nuk ishin pjesë e debatit, por performanca drejt realizimit të projekteve”, theksoi Grubi.
Zëvendëskryeministri Grubi përmendi investimin më të ri në Zonën Ekonomike të Tetovës, gurthemeli i të cilkës pritet të hidhet më 23 Nëntor, ndërsa mes projekteve që do të realizohen përmendi Spitalin e Kërçovës, pishinën në Saraj apo edhe ujësjellësin në Likovë.