Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka mbërritur sot në Shkup me ç’ rast ka takuar krerët e lartë shtetërorë. Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi thotë se gjatë takimit me kancelarin ka biseduar për rëndësinë që ka hapja e negociatave me Bashkimin Europian për qytetarët e RMV-së.
Grubi ka theksuar se qytetarët dhe vendi ynë kanë bërë sakrifica serioze duke zbatuar Marrëveshjen e Ohrit dhe barazinë për të zbatuar një sërë marrëveshjesh tjera andaj dhe meritojmë datën për mbledhjen e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian.
Statusi i plotë i Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi
Mirëpritëm sot në vendin tonë kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe në këtë takim potencova rëndësinë që ka hapja e negociatave me Bashkimin Europian për qytetarët tanë.
Theksova që qytetarët dhe vendi ynë kanë bërë sakrifica serioze duke zbatuar Marrëveshjen e Ohrit dhe barazinë, duke arritur dhe zbatuar Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimin e Kushtetutës, por edhe marrëveshjen për fqinjësi të mirë, andaj dhe meritojmë datën për mbledhjen e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian. Mes tjerash, theksova se ndihma gjermane është kruciale në këtë drejtim dhe vizita në Sofje е kancelarit Scholz është inkurajuese dhe ndjell shpresë për zhbllokim të ëndrrës sonë europiane.