UNICEF dhe Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) sot organizojnë ndeshje futbolli për fëmijë me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve – 20 Nëntorit. Ndeshja titullohet “Fëmijët marrin përsipër fushën” dhe do të mbahet në sallën e vogël të qendrës sportive “Boris Trajkovski” nga ora 12:30 deri në ora 14:00, ku do të luajnë fëmijë, futbollistët profesionistë të kombëtares, futbollistët nga Olimpiada Speciale dhe zyrtarë të lartë.
Gara është pjesë e fushatës së përbashkët të UNICEF-it dhe FFM-së – “Ne jemi të gjithë një ekip” e cila u bën thirrje të gjithëve të bashkohen për të drejtat e fëmijëve.
Në këtë manifestim do të drejtohet dhe do të marrë pjesë kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa fjalim do të mbajnë edhe përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia DiXhovani dhe drejtori i FFM-së, Deni Masev.
Ngjarja do të moderohet nga Kika, Filip, Anastasia dhe Miha, fëmijë nga seriali “Jepni muzikë”, të cilët përfaqësonin Maqedoninë e Veriut në Eurovizionin për Fëmijë.
Dita Botërore e Fëmijëve festohet çdo vit më 20 nëntor për të nxjerrë në pah çështjet më të rëndësishme që prekin jetën e fëmijëve dhe për të mbështetur pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve si mbrojtës të të drejtave të tyre..
Dita Botërore e Fëmijëve këtë vit përkon me fillimin zyrtar të Kupës së Botës FIFA 2022 në Katar, duke ofruar kështu një mundësi të rrallë për të vendosur çështjet e fëmijëve në krye të agjendës globale, tha Zyra e UNICEF-it.
Dita Botërore e Fëmijëve është një thirrje për veprim për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve të rëndësishme për fëmijët dhe për të krijuar një botë më të drejtë, më gjithëpërfshirëse për çdo fëmijë.
UNICEF-i dhe partnerët i bëjnë thirrje të gjithë shoqërisë që të ndihmojë në mbështetjen e aktiviteteve për: kujdes shëndetësor dhe ushqim cilësor për çdo fëmijë, si dhe mbrojtje nga sëmundjet që mund të parandalohen me vaksinim; arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës për çdo fëmijë duke përfshirë rritjen e investimeve dhe përmirësimin e efikasitetit dhe barazisë në shpenzimet e arsimit; programe që promovojnë shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve; një mjedis i shëndetshëm dhe një shans i drejtë për çdo fëmijë – që nënkupton veprime për të trajtuar diskriminimin dhe përjashtimin në mënyrë që asnjë fëmijë të mos neglizhohet për shkak të paaftësisë, varfërisë, përkatësisë etnike apo gjinisë.