E martë, 19 korrik-Bruksel, ditë për histori

Ka ditë që vetvetiu bëhen pjesë e historisë. E tillë është kjo e martë e 19 korrikut, pasi me mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare BE-Shqipëri-Maqedoni e Veriut, shënon hapin e madh drejt integrimit të këtyre vendeve fqinje.

Një proces i vështirë dhe i gjatë, me përmbushje kriteresh e realizim reformash, paraprakisht e kaloi edhe pengesën e fundit, veton bullgare që e mbante peng procesin. Për këtë s’do mend se duhet të lëvdohen dy qeveritë proevropiane në Shkup dhe Sofje, që u ngritën mbi egoizmin nacional që ishte ushqyer më parë dhe për hir të ardhmërisë evropiane, arritën kompromis.

Nga Brukseli jehojnë fortë fjalët e kryeministrit Dimitar Kovaçevski kur thotë se pas 17 vjetësh pritje, me hapjen e negociatave, “hapim perspektiva të reja” duke iu bashkangjitur kështu “familjes së madhe evropiane” me një besim të fortë se ky është “një fillim i ri për rajonin” drejt prosperitetit.

Edhe më domethënëse janë fjalët e tij se propozimi evropian është arritur pas një procesi të gjerë konsultativ, me ç’rast “nga më shumë aspekte i respekton dhe i ruan linjat e kuqe, ku është precizuar gjuha maqedonase pa kurrëfarë plotësimesh ose sqarimesh. Me çka, sipas tij, hapen dyert që gjuha maqedonase të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së.
Gjithsesi, këto janë argumente që disa qarqe opozitare e media, nuk duan t’i dëgjojnë si të vërteta, sepse ato gjithë këtë proces kompromisi e vunë në dyshim. Ato nuk deshën të dëgjojnë fjalët e kryeminsitrit se gjuha maqedonase në këtë mënyrë është jo vetëm e mbrojtur, por dhe do të përjetojë promovim të paparë në shumë vende të Evropës, duke u njohur me gjuhën, kulturën dhe traditat e popullit maqedonas.

Fati e deshi që dy vende fqinje, me raporte tejet të mira midis tyre, të ishin të ndërvarura nga njëra tjetra në këtë proces. Prolongimi i fillimit të negociatave, do të rriste pakënaqësinë në Shqipëri, siç kohë më parë qe shprehur edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, në adresë të Sofjes. Por gjithë kjo, tash mbetet prapa dhe si dy vende nga rajoni i Ballkanit, e sjellin Evropën këtu, për të dëshmuar kapacitetet e tyre por dhe të vërtetën historike: Edhe Evropa e ka origjinën nga Ballkani.

Nuk ka gjë më të natyrshme që vendet e Ballkanit, të jenë pjesë e Evropës. Edhe për një arsye tjetër: ka shumë vende të BE-së që mund të marrin shembull nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipërisë për nivelin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe ato etnike./Indeks.mk

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet