“Sigurisht një ditë do të bëhet pishman akademikja Katica Qullafkova kur nga goja e saj ka dalë ideja gjeniale le ta bëjnë shqiptarët “akademinë e tretë”. Nëse ndonjëherë e bëjnë vërtet, askush s’ka të drejtë të akuzojë shqiptarët për paralelizëm, sepse idenë ua ka dhënë Katica.”, ka ironizuar opinionisti Daut Dauti në kolumnën e tij të fundit në gazetën “Koha”. Por, ka shtuar se dardha ka bisht. E sipas tij, “Bishtin” ia tregoi kolegu i saj, Abdylmenaf Bexehti ku i tha publikisht, po, menjëherë, do të marrim 30 përqind të buxhetit dhe kushtet hapësinore e teknike dhe gjithçka që është krijuar deri tash, dhe e bëjmë tonën!
“E gjora akademike, nuk do të ketë menduar aq larg se ideja e saj prapë do të shkojë në dëm të kauzës që mbron, sepse (me logjikën e saj), edhe akademinë duhet ta bëjnë shqiptarët duke marrë pare nga buxheti i shtetit “të saj”. Se ndoshta ajo nuk i konsideron shqiptarët qytetarë të Maqedonisë që marrin pjesë në krijimin e buxhetit dhe se logjikshëm, pjesë e buxhetit të akademisë aktuale do të ndahej për akademinë e re shqiptare. E ka gabim nëse ka menduar që shqiptarët të bëjnë akademi private, siç e financonin në fillim Universitetin e Tetovës, kur gjithë shteti, me gjithë Katicën, ishin kundër universitetit.”, ka shkruar Dauti në vazhdimin e parë të kolumnës që mban mbitutullin “AMSHA “e pjekur” për reformim”.
Midis tjerash ky autor ka shkruar: “Gjithsesi shqiptarët do t’i jenë përjetë falënderues për idenë gjeniale të saj. Ndonëse kjo së pari, nuk shkon me logjikën e një nacionalisteje, sepse zakonisht ata nuk japin ide për të bërë dikush të veten, por për t’ia marrë dikujt edhe kur i takon! Së dyti, kushedi sa do ta urrejnë vetë “të vetët”, ata që janë të afërt për nga bindja, duke i thënë, aman Katica, po a kështu e mbron kauzën maqedonase duke iu ofruar shqiptarëve një akademi të tërë?! Akademikja dhe shefi i saj, të cilët e dramatizojnë çështjen e marrëveshjes me Bullgarinë, janë në një kontradiktë me bindjet e tyre, sepse nëse këtë zhurmë e bëjnë për shkak të figurave të kontestuara nga bullgarët, siç është edhe Goce Dellçevi, atëherë ata në praktikë janë edhe kundër tij, sepse idetë e Goces për një botë me laryshi vlerash, mbase kështu dhe një Maqedoni multietnike, multikonfesionale e multikultuore, janë të kundërta nga egoizmi i tyre, duke shpallur shqiptarët fajtorë për gjithçka. Mbase edhe për këtë trendin rrënues të ngrohjes globale, që në Maqedoni ndonjëherë shprehet me breshër e vërshime!!!”


