Ndoshta s’ka qenë përherë intenca, por rastësia dhe vizioni politik ka bërë që LSDM-ja të ketë hedhur ndonjë gur më tepër në themelet e Maqedonisë, me vendimet e guximshme që kanë shkuar shpesh në dëm të vetin, ndryshe nga VMRO-ja, e cila interesin partiak e ka vënë para atij shtetëror
Analisti Daut Dauti, në një kolumnë në gazetën Koha, ka shkruar se VMRO-ja si duket gjithë strategjinë e ka ndërtuar në fjalët, kurse punët e mëdha, i kanë mbetur barrë LSDM-së. Vetëm në vitin 1991 VMRO-DPMNE-ja u rreshtua drejtë, kur insistonte për referendum për t’u ndarë nga RSFJ-ja. Duke bërë një retrospective të veprimit të këtyre dy partive, Dauti ka thënë se në çastet vendimtare, LSDM-së do t’i jepet misioni historik për të marrë vendime historike.
“Jo rastësisht kryeministri e më vonë edhe shefi i shtetit, Branko Cërvenkovski, i kishte dhënë partisë së tij epitetin “shtet-ndërtuese”. Kjo, në njërën anë ishte arritje rëndësishëm për historinë, por që në anën tjetër, kishte kosto të lartë për partinë. I ra hise qeverisë së LSDM-së të lidhë me Greqinë Marrëveshjen e Përkohshme, për të hyrë në OKB. VMRO-ja ishte kundër, kurse LSDM-ja në lajthitje, duke thënë se çështja e emrit do të zgjidhej për dy – tri muaj, që u bënë pastaj dy dekada e gjysmë,gjersa një kryeministër i LSDM-së nuk mori guximin për ta ndërruar emrin. Në këtë temë, VMRO-ja jo vetëm që nuk kishte guxuar të ndërmarrë një hap të tillë, por edhe më keq, me veprime konkrete, me antikuzimin e historisë dhe kulturës(Shkupi 2014), vetëm e kishte komplikuar procesin, ndërkohë që kishte humbur edhe përkrahjen ndërkombëtare që deri atëherë ishte në anën e Maqedonisë. Gruevski nuk pati guxim,ose nuk deshi të pranojë madje një emër edhe më pak problematik se “Veriorja”, kur në Samitin e njohur të NATO-së në Bukuresht, shkoi pa pasur guxim të deklarohet.”, vlerëson analisti Daut Dauti.
Në aspektin intraetnik qasja e VMRO-së, me “inxheneringun identitar” kishte futur përçarje në vetëdijen e maqedonasve, gjë kjo që edhe gjatë kohë do të ushqejë iluzione joreale për të kaluarën. Në të vërtetë, edhe kjo episode e acarimit të marrëdhënieve me Bullgarinë, mban vulën e VMRO-së, sepse ndryshe kanë qenë veprimet e hapta ose të fshehta të këtij subjekti, e ndryshe ato të deklaruara zyrtarisht.Dauti më tutje shkruan se në të planin e brendshëm, viti 2001 dhe Marrëveshja e Ohrit, ka qenë një test për kapacitetet shtetndërtuese. “Kur e përmendim këtë fjalë, e kam parasysh atë lloj veprimi politik që përmban vizion, e jo deklarativizëm folklorik në emër të interesit kombëtar. Është fakt se konflikti në pushtet e gjeti VMRO-në, por menaxhimi i gjithë situatës ra si barrë mbi katër partitë më të mëdha parlamentare,VMRO-në, LSDM-në, PPD-së dhe PDSH-në, duke formuar një qeveri të përbashkët, e cila edhe ishte nënshkruese e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Nënshkruesit e marrëveshjes kishin marrë edhe obligime, kishte edhe afat për jetësimin e saj. Mirëpo, VMRO-ja filloi menjëherë me obstruksione, duke kërkuar që disa formulime ose zgjidhje të ridefinohen! Të ndjerët Arbër Xhaferi dhe Imer Imeri, u vunë madje edhe nën presion ndërkombëtar që të pajtohen me këto “ridefinime” që vetëm disa muaj më parë i kishin nënshkruar të gjithë bashkë. Për VMRO-në sikur nuk vlente nënshkrimi i vënë. Një jo seriozitet dhe jo parimësi e paparë.”, ka nënvizuar analisti.
LSDM-ja, ndryshe nga VMRO-ja, ka shkruar Dauti, nuk ikte nga jetësimi i Marrëveshjes së Ohrit, por kalimi në opozitë, VMRO-së i dha krah edhe më shumë që të distancohet nga marrëveshja! Një nga ngjarjet më dramatike të asaj kohe ka qenë rezistenca e paprecedent e VMRO-së kundër decentralizimit, me protesta të mëdha e me bllokada,madje në një rast qe rrezikuar fizikisht edhe kryetari i LSDM-së dhe kryeministri i asaj kohe, Vllado Buçkovski. Por rezistoi edhe LSDM-ja kundrejt decentralizmit, sepse iu deshën shtatë javë bisedime të vështira me BDI-në për të ardhur te një zgjidhje optimale. Po atë mandat(2002-2006), qe legalizuar(më saktë: themeluar) edhe Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe qe avancuar edhe përdorimi i gjuhës shqipe. Po atë periudhë qe bërë edhe regjistrimi i popullsisë, të cilin, në manirin e vet, VMRO-ja vite me radhë rezultatin e konsideron “të ujdisur”! Në diskursin manipulativ, shpesh fitohet bindja se VMRO-ja pasi t’i shpikë disa teza, nisë dhe t’u besojë, si kjo e regjistrimit!
Pra, gjatë gjithë kohës, në kapituj kyç, LSDM-ja nuk denjonte të marrë përgjegjësitë e interesit të lartë shtetëror, ndërkaq VMRO-ja u ikte: u ikte shqiptarëve për të bërë qeveri me ta(në fillim të 90-tave, ikte nga jetësimi i marrëveshjes së Ohrit, ikte nga marrëveshja me Greqinë dhe s’është asgjë e re as kjo ikje nga Marrëveshja me Bullgarinë. Edhe kësaj radhe, me Marrëveshjen e Prespës, me të cilën iu hapën dyert Maqedonisë për NATO, interesi më i lartë shtetëror gjer tani në këto kohë të turbullta gjeopolitike, si dhe me Marrëveshjen me Bullgarinë që nuk dihet si do të përfundojë, LSDM-së do t’i kushtojë shtrenjtë, sepse një pjesë e madhe e publikut të indoktrinuar me narrativet patriotike të VMRO-së, do ta ndëshkojë LSDM-në.
Kolumnën e plotë të Daut Dautit mund ta lexoni në këtë link: