Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë për medie, ka kërkuar hetimin dhe shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas fakteve të reja që dëshmojnë përfshirjen e tij në skandalin energjetik.
Nënkryetarja Çitaku ka thënë se është pikërisht Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i cili po bëhet pengesë për t’iu hapur rrugë përgjegjësisë dhe të vërtetës.
“Prapa ambasadorit Berishaj, fshihet një lidhje shumë më e thellë e pushtetit me mafinë energjetike të vendeve të rajonit. Martin Berishaj është mik i kryeministrit Kurti, i emëruar ambasador nga Kryeministri Kurti dhe përballë këtij skandali, i marrë në mbrojte direkte nga Kryeministri Kurti. Por, përkundër se qeveria është përpjekur me çdo kusht që ta amnistojë këtë aferë, skandali po thellohet çdo herë e më shumë dhe ka marrë rrugë drejt shpalosjes së fakteve tepër shqetësuese, të cilat jo vetëm që tejkalojnë çështjet e integritetit diplomatik e personal, apo edhe ndjekjes penale, por të cilat sot, shtrihen deri tek Zyra e Kryeministrit Albin Kurti dhe implikojnë vetë shtetin e Kosovës”, ka thënë Çitaku.
Nënkryetarja Çitaku ka bërë thirrje që kjo aferë të zbardhet deri në fund, që imazhi i Kosovës si shtet të mos dëmtohet edhe më tej.
“Kërkojmë nga organet e zbatimit të ligjit që ta bëjnë punën e tyre investiguese si dhe nga institucionet përgjegjëse që z. Berishaj, ta shkarkojnë menjëherë nga detyra e Ambasadorit”, ka thënë Çitaku.


