Më herët këtë pasdite, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky foli në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – hera e parë që ai e bën këtë që nga fillimi i luftës.
Por, çfarë ndodhi sot në seancën e KS të OKB-së, ku mbajtën fjalime ambasadorët e shteteve të ndryshme.
Duke u shfaqur me video-lidhje, Zelensky zbuloi disa prej mizorive të trupave pushtuese të cilat janë zbuluar pasi Rusia tërhoqi trupat nga pjesët veriore të vendit.
Ai pretendoi se forcat pushtuese vranë dhe torturuan “vetëm për kënaqësi” dhe vazhdoi të shfaqte një video që tregonte ukrainas të vdekur.
Zelensky kërkoi që Moska të përballet me “përgjegjësi” dhe bëri thirrje që Rusia të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Rusia mohoi përsëri akuzat për krime lufte në Ukrainë, me ambasadorin e saj në OKB, Vasily Nebenzya duke i thënë këshillit se kishte “mospërputhje flagrante” në raportet e parë në mediat ukrainase dhe perëndimore.
Takimi i OKB-së në Nju Jork pa një dënim të ri të veprimeve të Rusisë nga larg. Shtetet e Bashkuara përsëri kërkuan që Rusia të largohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Kina, e cila ka shmangur kritikimin e pushtimit rus, komentoi se raportet për vdekjet e civilëve ishin “shumë shqetësuese”, por tha se çdo akuzë duhet të bazohet në fakte të verifikuara.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres foli gjithashtu, duke thënë se pushtimi tashmë kishte detyruar lëvizjen më të shpejtë të popullsisë që nga Lufta e Dytë Botërore. /Telegrafi/