Bujar Sopa do të drejtojë Forumin Rinor të Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Butel. Me shumicë absolute, Kuvendi i të rinjve sonte zgjodhi të parin e tyre, në prag të fushatës zgjedhor për zgjedhjet e dyfishta – ato presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare.
“Sonte, nuk jam këtu për të qenë thjesht një figurë formale, por për të udhëhequr një lëvizje të fuqishme rinore në Degën e BDI në Komunën e Butelit, me plot bindje se do të reflektoje fuqishëm në rrafsh republikan. Veprimtaria jonë rinore në kuadër të BDI-së, në vete ngërthen vizion të qartë për një bashkëpunim të ngushtë mes vete, por edhe me strukturat tjera rinore, që s’do mend se do sigurojë një të ardhme të ndritshme. Forumi Rinor është shkëndija e parë e ngjarjeve të madhe, një hap drejt pjesëmarrjes sonë më aktive në ngjarjet dhe vendimmarrjet për të ardhmen tonë”, tha në fjalën e tij kryetari i FR – Dega Butel, Bujar Sopa.
Në ndërkohë, edhe kryetari i Degës, Muharrem Hasani, u zotua se strukturat politike në Butel janë gati për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Forumi Rinor, tha Hasani, sikurse gjithmonë, do të ketë vendin e merituar në Degën tonë, ndërsa do të jetë partneri kryesor i Kryesisë së ngushtë dhe organeve tjera për përpilimin e politikave si kadrovike, ashtu edhe politikave lokale në Degën tonë.
“Njëkohësisht, me zgjedhjet e sotme në Forumin Rinor, Dega e Butelit e mbyll fazën e përgatitjes të të gjithë neve për zgjedhjet e dyfishta, ato presidenciale dhe parlamentare”, tha kryetari i Degës, Muharrem Hasani.






