Gjatë vizitës së tijë në Bukuresht, Bujar Osmani, para takimit të sotëm ministror të NATO-s, tha se nga ky takim po dërgohet një mesazh se rajoni i Detit të Zi është strategjikisht i rëndësishëm për NATO-n.
“Siç prisja, nga diskutimet tona të djeshme dolëm edhe më të unifikuar në qëndrimin tonë për agresionin brutal rus, por edhe për mbështetjen e Ukrainës. Si anëtari më i ri i NATO-s, Maqedonia e Veriut mbështet fuqishëm politikën e jashtme të NATO-s dhe ne posaçërisht mbështesim anëtarësimin e BeH dhe Kosovës në NATO”, tha ai.
Osmani po merr pjesë në takimin e NATO-s të Këshillit të Atlantikut të Veriut,në nivel të ministrave të jashtëm, që po mbahet në Bukuresht të Rumanisë.
Siç informoi Ministria e Punëve të Jashtme, fokusi i bisedimeve të djeshme ishin sfidat aktuale të sigurisë, mbështetja për Ukrainën, si dhe pasojat e agresionit ushtarak rus, përfshirë krizën energjetike dhe mungesën e ushqimit, të cilat shkaktojnë destabilitet në rajone të ndjeshme, duke përfshirë rajonin e Ballkanit Perëndimor.