Ish-ministri i mbrojtjes i Maqedonisë, Vlado Buçkovski, nuk pret deeskalim të situatës në Ukrainë, por përkundrazi, do të ketë eskalim, duke pasur parasysh përleshjet në rrugë në Kharkov dhe kolonën e madhe të automjeteve të blinduara drejt Kievit.
Ai këtë e ka theksuar në një intervistë për “Utrinski Brifing”. Buçkovski thotë se ndikimi i Rusisë në Maqedoni është i vogël, por jo i parëndësishëm.
“Është e rëndësishme se çfarë do të ndodhë në Bullgari, ku Rusia ka ndikimin më të madh në Ballkan pas Serbisë. Një periudhë interesante po vjen që miqtë e Putinit të distancohen prej tij. Maqedonia realisht duhet të vazhdojë të ndërtojë unitetin ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Kur ishte më e vështirë për ne në vitin 2001, Rusia na ndihmoi minimalisht, dhe Ukraina na ndihmoi maksimalisht dhe ne nuk duhet ta harrojmë këtë”, tha Buçkovski.
Sipas tij, është mirë që po tregojmë se aleanca me NATO-n është e rëndësishme për ne dhe se jemi në solidaritet me ndihmën për Ukrainën.