Biden dhe Von der Leyen pas arritjes së marrëveshjes për gazin: Synojmë ta heqim qafe Rusinë

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kanë folur pas arritjes së marrëveshjes për furnizim me gaz amerikan të Evropës.

Biden tha se SHBA dhe BE kanë rënë dakord për një “plan të përbashkët” drejt një të ardhmeje të sigurt dhe të pastër të energjisë.

Ai tha se Vladimir Putin ka përdorur burimet energjetike të Rusisë për të detyruar dhe manipuluar fqinjët dhe ka përdorur fitimet për të “drejtuar makinerinë e luftës”.

Biden tha se nisma e re fokusohet në dy çështje thelbësore “Një, Evropën e ndihmon në uljen e varësisë nga gazi rus sa më shpejt që të jetë e mundur. Dhe së dyti, reduktimi i përdorimit të gazit në përgjithësi”.

Ai shpjegoi se Komisioni Evropian do të punojë me vendet anëtare për të ruajtur gazin në të gjithë kontinentin, për të ndërtuar më shumë infrastrukturë për marrjen e LNG-së dhe për të ndërmarrë hapa për të rritur efikasitetin e gazit.

Pas fjalimit të Bidenit, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen tha se prania e presidentit amerikan në Bruksel këtë javë “i dërgon një mesazh shumë të fuqishëm botës”.

“Partneriteti transatlantik qëndron më i fortë dhe më i bashkuar se kurrë, dhe ne jemi të vendosur të ngrihemi kundër luftës brutale të Rusisë”, tha ajo.

“Kjo luftë do të jetë një dështim strategjik për Putinin. Bashkëpunimi ynë në katër valët e njëpasnjëshme të sanksioneve kundër Rusisë ka qenë i jashtëzakonshëm. Sanksionet tani po hyjnë thellë në sistemin rus. Duke shteruar burimet e Putinit për të financuar këtë luftë mizore”.

Për marrëveshjen e re të BE-së për gazin me SHBA-në, Von der Leyen falënderoi popullin amerikan për “mbështetjen e palëkundur”.

“Kjo mbështetje shtrihet edhe në forcimin e sigurisë energjetike të Evropës dhe pavarësisë nga lëndët djegëse fosile ruse. Siç e dini, ne synojmë të zvogëlojmë këtë varësi nga karburantet fosile ruse dhe ta heqim qafe atë”.

“Dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes, natyrisht, para së gjithash, investimeve në burimet e rinovueshme, por edhe përmes furnizimeve shtesë të gazit, duke përfshirë dërgesat e LNG”, tha ajo.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet