Bërns: Vetëm 8 për qind e qytetarëve kanë besim në gjyqësor

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Marie Byrnes, sot në konferencë para gjykatësve tha se qytetarët e RMV-së nuk kanë besim në gjyqësor.

Ajo iu referua anketës së mëhershme nga “Eurothink”, duke thënë se vetëm 8 përqind e qytetarëve kanë besim në gjyqësor. Byrnes tha se që të kthehet besimi i qytetarëve, është e nevojshme që ata të shohin se sistemi funksionon, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Nuk është sekret që opinioni nuk beson te gjyqësor. Në fakt, një sondazh i fundit i Eurothink zbuloi se vetëm 8% e qytetarëve në Maqedoninë së Veriut i besojnë gjyqësorit dhe prokurorisë. Natyrisht, ka shumë punë për të bërë, përfshirë reformën në drejtësi dhe forcimin e institucioneve, por duhet të adresohen edhe perceptimet – njerëzit duhet të shohin dhe të ndjejnë se sistemi funksionon”.

“Qytetarët duhet të sigurohen se rastet e tyre do të shqyrtohen nga gjykatat neutrale dhe të pavarura brenda një kohe të arsyeshme. Ky është një parim bazë në çdo demokraci të lirë dhe funksionale”, tha mes tjerash Byrnes, në konferencën gjyqësore ndërkombëtare “Pavarësia e gjyqësorit përmes procesit të reformës – Pritjet dhe realiteti”.

Sipas saj, gjyqësori duhet të jetë efikas, i pavarur dhe të zbatojë ligjet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.