BE-ja pret marrëveshje në takimin e së hënës Vuçiq – Kurti

Dialogu Prishtinë-Beograd hyn në një dinamikë të re. Burimet zyrtare të Bashkimit Europian, sic njofton korespodentja e Tv Klan nga Brukseli, Erisa Zykaj, kanë artikuluar pritshmërinë për një marrëveshje midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në 27 shkurt në Bruksel.

Pritet qartësisht të arrihet një marrëveshje mbi propozimin e Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas burimeve zyrtare të BE-së, ajo që e bën diferencën këtë rradhë, është se dy liderët Vuçiq dhe Kurti kanë pranuar paraprakisht propozimin në parim respektivisht në muajt janar dhe shkurt të këtij viti. Kjo krijon një kuadër dhe frymë krejtësisht të ndryshëm nga ai i 3 takimeve të mëparshme të pasuksesshme të vitit të kaluar në këtë nivel, ku dy të fundit janë zhvilluar në frymën e menaxhimit të krizës. Konkkretisht kriza e krijuar nga dalja e serbve të Kosovës nga institucionet e vendit dhe barrikadat e vendosura në Veri të Kosovës.

Burimet zyrtare, sic njofton korespodentja e Tv Klan nga Brukseli, Erisa Zykaj, kanë theksuar, se takimi i të hënës pritet të jetë i pari në frymën europiane të fokusimit të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë për të thyer një herë e mirë ciklin e krizave.

Por nuk bëhet fjalë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare gjithpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo nuk mund të arrihet tani dhe do jetë etapa e fundit në vijim të zbatimit të marrëveshjes që pritet të arrihet të hënën. Marrëveshja që pritet të arrihet të hënën bazuar në propozimin e BE-së është “ maksimumi i mundshëm i arritshëm realisht, shumë ambicioz dhe jo i lehtë për dy liderët për t’u arritur” sipas këtyre burimeve, që do të çojë te marrëveshja përfundimtare. Kjo marrëveshje e ndërmjetme e propozuar nga Bashkimi Europian gëzon dhe “bekimin “ e Komunitetit Ndërkombëtar.

Burimet e BE-së, konfirmojnë, se liderët e Kosovês dhe Serbisë nuk kanë kundërshtim mbi propozimin. Ajo që nënvizohet është fakti, se marrëveshja nuk mbulon vetëm tekstin e dokumentit, por edhe aneksin që e shoqëron për etapat kohore të zbatimit të marrëveshjes, që do të thotë që palët janë po ashtu të detyruara të zbatojnë këto etapa kohore. Në këto etapa përfshihet edhe zbatimi i marrëveshjeve të firmosura por të pazbatuara deri tani midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë që ka fleksibilitet mbi modalitetet e zbatimit të marrëveshjes dhe për këtë do diskutohet të hënën mdiis palëve. “Zbatimi do marrë disa muaj, por është realist” konsiderojnë këto burime, duke bërë të nënkuptohet se pritet që ato tê zbatohet brenda fundit të vitit. “Gjithashtu, Bashkimi Europian ka përfshirë një mekanizëm monitorimi të zbatimit të marrëveshjevenë në këtë propozim dhe do ketë raportim të rregullt mbi këtë te shtetet anëtare të BE-së” shprehen burimet.

Të hënën, do të fillohet me bilateralet midis shefit të diplomacisë europiane, Josep Borrell dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialogun Miroslav Lajçak nga njëra anë dhe respektivisht kryeministrit Kurti dhe Vuçiç nga ana tjetër. Më pas, do vijohet me trilateralen. “Kurti dhe Vuçiç këtë rradhë nuk do të diskutojnë me njêri thetrin për propozimin dhe jo vetêm me ne” kanë saktësuar kêto burime. / Erisa Zykaj – Tv Klan Bruksel /