Çfarë porosie po na jep BE-ja dhe Bullgaria para së gjithash. Duhet të hyjë Rusia në Ballkan, të marrë ndonjë pjesë territori që t’i ngutet BE-së për ta futur një vend “pa rend”? Ku është vizioni, largpamësia? Kur gjithë flasin për penetrimin e ndikimit dhe rrezikut rus, BE-ja vendet e Ballkanit i lë në mëshirën e fatit.
Shkup, 24 qershor/indeks.mk/– Nuk duhet të na habitë asgjë! As lufta në Ukrainë, as hiret e fqinjëve ndaj fqinjëve, asgjë. Floskula për t’u fshehur prapa procedurave false, janë shprehje e demagogjisë që flet se BE-ja ka humbur rrugën në oborr të vet.
E enjtja në Bruksel duhej të ishte një ditë e mbarë. Bullgaria duhej të hiqte veton, qoftë dhe me kusht, siç parashikonte propozimi i Makronit, Kosova duhej të fitonte “lirinë” që qytetarët e saj të lëviznin pa viza nëpër BE, dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë t’u hapeshin dyert. Gjithë përfaqësuesit e lartë të BE-së që janë prononcuar lidhur me kriteret, kanë thënë se këto dy vende i kanë plotësuar ato!
Nuk ishte plotësuar vetëm një kusht: që të mos bëhet pengesë ndonjë vend anëtar që të mos shtrojë çfarëdo kërkese të pandershme ndaj dikujt. Si Bullgaria përshembull, e cila duke shkelë kriteret e procesit të Berlinit (që thonë se kontestet ndërfqinjësore duhet të zgjidhen jashtë procesit të negocimit me BE-në) dhe për më tepër, që shkel atë marrëveshjen e shumëpërfolur të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë, ku nuk ka ndonjë kushtëzim, e që Bullgaria e ka kuptuar të kundërtën! Domethënë, aspektet e kontesteve identitare e historik në atë marrëveshje u janë lënë ekspertëve të fushës dhe nëse shikojmë më gjerë, të tilla konteste gjithkush me gjithkënd mund të ketë, malazezët me serbët, boshnjakët me serbët e kroatët, kroatët me serbët, moldavët me rumunët. Po, edhe moldavët me rumunët, por Rumania nuk i bëri pengesë Moldavisë të marrë statusin e vendit kandidat bashkë me Ukrainën, pa një procedurë të përshpejtuar, jashtë çdo kriteri!
Çfarë porosie po na jep BE-ja dhe Bullgaria para së gjithash. Duhet të hyjë Rusia në Ballkan, të marrë ndonjë pjesë territori që t’i ngutet BE-së për ta futur një vend “pa rend”? Ku është vizioni, largpamësia? Kur gjithë flasin për penetrimin e ndikimit dhe rrezikut rus, BE-ja vendet e Ballkanit i lë në mëshirën e fatit. Vetëm pak kohë më parë në një protestë të opozitës në Maqedoni u panë flamuj rusë, kurse anketat, sa më shumë që zgjasin huqet e Sofjes ndaj Maqedonisë, tregojnë rritjen e numrin të euroskeptikëve. Dhe s’duhet të na habisë asgjë. Sepse BE-ja nuk sillet në bazë të kritereve që ka vendosur, por toleron shfryrje të skajshme dhe pretendime jashtë tyre. Toleron vende të cilat me standardet në fushën e legjislaturës dhe të drejtave të njeriut dhe të fenomeneve të tjera, janë shumë më poshtë!
Në këtë mënyrë, me sjelljen e vet ndaj vendeve si Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, vetëm tregon se është e humbur në kohë e hapësirë, se fundja, edhe kriza në Ukrainë dhe pasojat tragjike e popullit atje, janë pasojë jo vetëm e agresionit rus, por dhe mungesë e vizionit e vendeve të BE-së që e joshën para më shumë dekada Ukrainën, dhe e lanë pa plan strategjik jashtë. Dhe sot kemi këtë situatë që kemi, me të gjitha refleksionet negative që po i ndjejmë me pasiguri të përgjithshme.
Nga këndvështrimi i Maqedonisë, por ndoshta ta pasojë edhe Shqipëria, më e mira është që në këtë moment të shpallej një moratorium procesit deri sa të pasonte një kthjellje në Bruksel dhe Sofje!