Rasti “i shpërnguljes”së festivalit SunnyHill (Kodra e Diellit) i ngjan si “edhe një situatë” prej së cilës gjithkush dëshiron të përfitojë diçka, ndërkaq e vërteta do të mbetet e zënë rob midis të vërtetash të papërputhshme. Rashomon i vërtetë. Gjëja e parë që të shkon ndërmend është që fajin t’ia hedhësh pushtetit. Klishe. Por, analiza tregon se të gjithë nga pak kanë faj, e askush s’është fajtori i njëmendtë, ndoshta situata dhe interesi i biznesit për të ikur diku me më shumë leverdi!

 

Nga Daut DAUTI

1.Sunny Hill

Kush këndon, nuk e ka me të keq!…Kjo është ajo shprehja e njohur serbo-kroate-boshnjake (”Tkopjevazlo ne misli”), sepse i jep karakter universal përjetimit të muzikës…Nëse nuk lidhemi me ndonjë interpretim të ngushtë e rigjid fetar, atëherë vërtet s’ka asgjë të keqe te muzika…Por, ç’e do, muzika në kohët moderne është përtej këngëve, është art e vlerë, është afirmim, është dhe biznes…dhe së fundmi, edhe politikë!

Rasti i largimit të festivalit ”Sunny Hill” nga Prishtina, e ka edhe politikën brenda! Politikën, e cila në kontekstin aktual, merr edhe përmasa të ndonjë përçarje plus në relacionin Rama-Kurti! Sepse, menjëherë pas dështimit për t’u mbajtur edhe sivjet festivali në Prishtinë, Tirana i hapi dyert për të, por duket se edhe me angazhim personal të Edi Ramës. Interesant, apo jo?!

Konteksti tashmë është krijuar: nga Prishtina festivali i organizuar nga babai i Dua Lipës, Dukagjinit, po ikë me fajin e qeverisë Kurti. Vetë Dukagin Lipa ka thënë se kjo po ndodh “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”. Dihet se kujt i adresohen këto. Në kushte normale, kjo ingerencë do të duhej t’i binte Prishtinës si komunë, vend ku mbahej zakonisht festivali, por kryetari Përparim Rama i LDK-së shpejte e shpejtë, që të mos i mbetet atij faji, ia hodhi fajin qeverisë. Një kontekst i bukur dhe dramatik për një kapitull të ri përplasjesh pushtet-opozitë dhe një temë “e frytshme” debati në media! Për ta zbavitur publikun për ndonjë kohë.

M’u duk gjithë kjo “edhe një situatë” prej së cilës gjithkush dëshiron të përfitojë diçka, ndërkaq e vërteta do të mbetet e zënë rob midis të vërtetash të papërputhshme. Rashomon i vërtetë.

Gjëja e parë që të shkon ndërmend është që fajin t’ia hedhish pushtetit. Klishe. Sepse, si thotë Valon Syla se Qeverisë së Kurtit “i mungon mosmarrja e vendimeve dhe vonesa” që s’do të ishte hera e parë. Këtë vonesë në procedurën e vendimmarrjes, organizatorët e festivalit përmendin tre vjet, pra, një procedurë e nisur në dy administrata të tjera qendrore dhe lokale, që përjashton fajësinë eventuale vetëm qeverisë aktuale. Del se edhe ata që drejtojnë gishtin nga një subjekt tjetër, të kenë vetë edhe ata gisht “kontributi” në këtë. Doli në pah se në qeverinë aktuale, lënda s’ka as një muaj që kishte mbërritur! Dhe për më tepër, LVV-ja fajin ia hedh atij që i lan duart nga fajësia, Përparim Ramës, kryetarit të Prishtinës.

Problemi me këtë festival dihet cili është. Vetë fakti se iniciativa ka rrjedhë dhe organizohet nga familja e Dua Lipës, dhe emrin ia kanë dhënë sipas Kodrës së Diellit ku ka lindur vetë ajo, dhe emri i saj ia ka ngritur reputacionin ndërkombëtar festivalit, duke e bërë Prishtinën dhe Kosovën si qendër të një tubimi emrash të shquar të muzikës, që në njërën anë afirmon vendin, e në anën tjetër, edhe sjell fitime jo vetëm organizatorëve, por dhe vetë vendit. Flitej për një shumë 23 milionëshe plus 10 të tjera për ekonominë. Zvarritjet për të marrë një vendim rreth truallit për shfrytëzim për nevojat e festivalit, është vërtet një çështje burokratike, por dhe ligjore, pasi gjërat duhet të kanalizohen ashtu. Në anën tjetër, nëse është e vërtetë se është kërkuar truall për 99 vjetët e ardhshëm (vallë aq mendon të jetojë babai i Duas Dukagjini) që t’ia shohë hairin, me të drejtë shtrohet pyetja, siç e shtroi Halil Matoshi: mos vallë Erjoni (Veliaj) dhe Edi Rama u kanë premtuar troll për 99 vjet meqë me aq nguti e kanë shpërngulur “brendin e Prishtinës” në Tiranë?! (Ndërfutja në këtë mesele e 99 vjetëve shfrytëzim të një parcele jo të vogël prej 17 hektarësh, e bën më interesant kontekstin e përplasjeve, sepse sikundër që gjithkush e rrëfen versionin e tij, as kjo nuk dihet nëse është ashtu, apo ashtu plasohet me qëllim të caktuar (kjo i adresohet organizatorit, por që ai kategorikisht hedh poshtë diçka aq megalomane!).

A është një leverdi më e madhe dhe procedurë më e lehtësuar në Tiranë, kjo do të shihet. Sido që të jetë, një ngjarje kulturore e cila nisi të bëhet traditë dhe i sillte Prishtinës dhe Kosovës atë popullaritet të nevojshëm, tash kalon në Tiranë, edhe pse ndoshta nuk ka nevojë aq për të, sepse mund të bëjnë manifestime të tjera po të donin

Ajo që prishtinasit mund të shpresojnë, është që e gjithë kjo lojë me vonesën e vendimeve të shërbejë si një presion institucioneve që të marrin një vendim, pasi, pas letrës së Dukagjin Lipës institucioneve më të larta të Kosovës, qëllimi është që një ditë festivali Sunny Hill prapë të kthehet në Prishtinë.

Kur të gjithë shprehin habi dhe sillen të hutuar para një akti të kryer, e vërteta është ndoshta të gjithë kanë nga pak faj, e askush s’është fajtori i njëmendtë, ndoshta situata dhe interesi i biznesit për të ikur diku me më shumë leverdi, është shkaktari kryesor! Sepse, vërtet nuk është ashtu siç duket.

Një vit pauzë, është një momentum për të marrë vërtet një vendim të drejtë, pa politizime, pa megalomani e gjëra tjera.

 

  1. FONDACIONET…

Te ne ndërkaq janë fondacionet në modë. Qëmoti funksionojnë, me karaktere e qëllime të ndryshme e me themelues e burime të ndryshme financimi, që nga ato ndërkombëtare e gjer te këto të vendit. Që nga Instituti Shoqëria e Hapur, e disa të tjera, e gjer te “Trajçe Mukaetov” apo Fondacioni ALBIZ. Ndihmojnë kategori të caktuara, studentë, shkolla, skamnorë…Fondacioni më i ri i krijuar këtyre ditëve ishte ai i Zoran Zaevit dhe të vëllait, Vices. Nuk është hera e parë që nga ai nivel të bëhet ndonjë fondacion. Nëse kujtojmë Lubço Georgievskin, kujtojmë edhe organizatën “Bllagovestie” që e krijoi bashkëshortja e tij, Snezhana, pikërisht në kohën kur ai ishte kryeministër. Supozohej se fondet e mbledhura vinin nga ndikimi pushtetar i burrit të saj përmes kompanive të ndryshme. Tash “Bllagovesties” kaherë nuk po i dëgjohet zëri. Dallimi midis asaj shoqate humanitare dhe këtij fondacioni të vëllezërve Zaev është se këta të dytët këtë e ndërmorën pasi ra njëri prej tyre nga pushteti. Këtij të fundit i bie që të heqë dyshimet se fondet do të mblidhen nga ndikimi i pushtetit, gjegjësisht, do të bazohen nga fondet që do të derdhen nga kompanitë e tyre.

 

  1. SPORTET ME SHQIPTARË DHE PA SHQIPTARË!

Më bëri përshtypje ekipi kombëtar i basketbollit për kadetë, ku për herë të parë në historinë e këtij sporti, paraqitet një shqiptar! Një! Krahasoni me përfaqësuesen e futbollit, ku në disa raste ka pasur më shumë së gjysmën e ekipit të parë shqiptarë! Ka patjetër një fenomen te aspekti i përfaqësimit etnik te sporte të ndryshme, sepse që më herët, sportistët shqiptarë kanë qenë të pranishëm në sportet luftarake(mundje dhe boks), por dhe në futboll gjithnjë ka pasur talente, siç është edhe “invazioni” i ekipeve shqiptare dy dekadave të fundit, për të krijuar një hartë të re sportive, me dominim të Shkëndijës dhe Shkupit, por dhe me prani të Renovës dhe Trim-Lumit, falë kapitalit privat të biznesmenëve shqiptarë. Puna me kategori të moshave të reja bën që të dalin talente që përbëjnë bërthamën e ekipeve pastaj, por dhe shpërndahen gjithandej nëpër Evropë. Por, fenomenin e futbollit nuk e përcjell basketbolli. Një periudhë pati një pjesëmarrje të denjë të KB “Liria”, por edhe atëherë, kishte shumë pak basketbollistë shqiptarë që bartnin lojën. Tash ka mbetur basketbolli me një ekip, e cila disa vjet troket në dyert e ligës së parë, por nuk ka interesim nga biznesi privat për t’u futur në këtë sport dhe prandaj nuk mjafton vullneti i disa entuziastëve për të nxjerrë talente të vërteta të këtij sporti.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)