-Matematika e thotë këtë: LSDM-BDI-Aleanca: 23 për qind besim të qytetarëve, të cilat dalin fituese për krijimin e qeverisë, kundrejt një koalicioni të mundshëm VMRO-E Majta- me 21 për qind,( me Besën: 22%, por pakkush beson se një parti shqiptare mund t’i bashkëngjitet një koalicioni ku është E Majta)

(Analizë e portalit indeks.mk)

Pas shpalljes së rezultateve të anketës së Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) dhe Institutit për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCS) dhe Qendrës për Menaxhim me Ndryshime (QMN), mund të nxirren shumë përfundime interesante. Edhe pse anketa kishte përfshirë shumë aspekte, gjëja e pare që e tërheq vëmendjen e publikut është se çfarë mund të presin nga zgjedhjet e ardhshme, kush mund të fitojë, kush mund të bëjë qeveri.

Për fituesit e atyre zgjedhjeve, nuk ka shumë dilemë, deri tash çdo anketë e ka treguar, edhe kësaj radhe po ashtu: në bllokun maqedonas është VMRO-ja(17%) kundrejt LSDM-së(12%), në bllokun shqiptar, Bashkimi Demokratik për Integrim(8%), e ndjekur nga Aleanca për Shqiptarët(3 për qind. Mirëpo, midis këtyre dy përqindjeve të besimit, fshihet edhe e panjohura tjetër: kush mund të krijojë koalicionin qeveritar? Nisur nga besimi i shprehur te partitë tjera, nuk është kurrfarë garancie se VMRO-DPMNE-ja mund të bëjë qeveri, përderisa ajo do të varej nga një parti ekstremiste, si E Majta, që në anketë ka 4% besim. Kjo do të thotë se bashkërisht mund të arrijnë 21 për qind, pasi në anketë nuk ka ndonjë parti tjetër që mund t’i bashkëngjitet këtij “koalicioni” të supozuar. Eventualisht mund t’i bashkëngjitet Lëvizja Besa, që ka koketuar deri tash me VMRO-në, por, 1-përqindëshi i besimit të saj nuk është i mjaftueshëm që ta nxjerrë këtë koalicion si fitues për krijimin e ekzekutivit të ardhshëm.

Pikë e dobët e këtij koalicioni, gjithsesi është varësia nga E Majta, me të cilën besojmë se do të hezitonte bashkëpunimin vetë VMRO-ja, e lëre më një parti shqiptare që t’i lejonte vetes të hynte bashkë me Të Majtën!

Ndryshe qëndron puna në bllokun e tashëm qeveritar: LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca(3 për qind) mund të arrijnë te dy poena më shumë, pra, 23 përqind, duke mos përfshirë edhe ndonjë subjekt tjetër nga 1 përqindëshi i “të tjerave”, ku mund të jetë edhe Alternativa e Afrim Gashit.

Anketa në terren u zbatua në periudhën 22 shkurt – 9 mars të vitit 2023 tek 1.002 të anketuar mbi 18-vjeçarë në tërë territorin e shtetit, përmes metodës fytyrë në fytyrë ka dhe të fshehtat tjera. Kjo para së gjithash shihet te numri tejet i lartë (26 për qind) i atyre që kanë deklaruar se s’do të votojnë dhe të atyre që nuk janë përcaktuar(poashtu 26 për qind) se për kë do të votojnë. Kjo e bën betejën elektorale më të fortë te çdo parti për t’i afruar këta hamendësues e mosbesues, si një peshore vendimtare të fatit të tyre politik.