Ish ministri i Kulturës dhe Kordinator nacional për politikat e interkulturalizmit, Robert Allagjozovski sot në ligjëratën e tij tek Shkolla për lider të rinj “Peace Forum Dialogue” që mbahet në kuadër të shënimit të 21 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, ka theksuar se prioritetet dhe objektivat duhet të fokusohen në rishikimin e ligjeve dhe kornizave ligjore aktuale dhe riafirmimin e tyre.
Vendimi për zhvillimin dhe miratimin e Strategjisë Kombëtare për zhvillimin e konceptit “Një shoqëri për të gjithë” dhe ndërkulturalizmit shënon një kthesë të rëndësishme në politikat dhe politikën zyrtare në vend. Shpallja dhe lançimi zyrtar i parimit, konceptit, politikës dhe strategjisë prezantojnë përfshirjen, integrimin, multikulturalizmin gjithëpërfshirës dhe ndërkulturalizmin si themelet kryesore të politikave kombëtare dhe kohezionit në politikat zyrtare të vendit.
Janë nënvizuar disa probleme si nënpërfaqësimi i komuniteteve më të vogla dhe mungesa e respektimit të të gjitha të drejtave që u janë dhënë komuniteteve me Kushtetutë dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Si arsye për këtë, Strategjia përmend mungesën e kapaciteteve, mungesën e besimit të qytetarëve në gjyqësor dhe moszbatimin e Ligjeve aktuale. Më tej, theksohet mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve të ndryshme. Ekziston një kornizë ligjore për mbrojtjen e bashkësive të ndryshme etnike dhe përfaqësimin e tyre në institucionet shtetërore, por nuk zbatohet si duhet. Prandaj, prioritetet dhe objektivat fokusohen në rishikimin e ligjeve dhe kornizave ligjore tashmë ekzistuese dhe riafirmimin e tyre.
Ndërtimi i politikave dhe masave për zhvillimin e ndërkulturalizmit në nivel lokal. Gjetja e mënyrave brenda Kushtetutës dhe ligjeve që do të ndihmojnë në forcimin e dialogut, tolerancës dhe solidaritetit në komunitetet lokale. Gjithashtu do të zhvillohet kohezion social në nivel lokal, veçanërisht në komunitetet rurale, me theks të veçantë në barazinë gjinore dhe mundësitë e barabarta, ka theksuar më tej në ligjëratën e tij, Allagjozovski.


