Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti ka vazhduar me aktivitetet dhe takimin me qytetarët e Gostivarit. Ahmeti dhe ekipi i bashkëpartiakëve të tij të shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi dhe ministrat e kabinetit qeveritar në shkollën e mesme teknike në Gostivar, kanë takuar banorët e këtij qyteti, raporton indeks.mk
Ahmeti ka thënë se pushteti nuk korrupton, por frika korrupton, frika e humbjes së pushtetit.
“Cilat janë punët, misionet tona. Të jemi më të përkushtuar, angazhuar, jo vetëm në ekranet televizive dhe debate, por veprimtari e përkushtim konkret kundër krimit dhe korrupsionit. Ka edhe njerëz të cilët siç thotë nobelisti, nga frika e humbjes së pushtetit bën veprime të këqija. Ne kërkojmë Veting për të ndaluar të gjitha gojëdhënat dhe legjendat. Të gjithë që keqpërdorin besimin, le të përgjigjen para drejtësisë. Duam drejtësi të skanuar, filtruar, që të jetë kredibile dhe e besueshme për vendimet që merren. Për të fituar këtë kredibilite ne i kemi thirr edhe partitë tjera që të gjejmë gjuhë të përbashkët që domosdoshmërisht vetingun ta fillojmë dhe me ndershmëri ta mbarojmë sepse kështu mund të ecim përpara. Në skaner çdo politikan, funksionar e ligj zbatues nga niveli qendror deri në lokal. Evropa pse ka përparuar. Nëse ka keqpërdorim të ndjek si diverzant, por jo edhe mendime ndryshe, perëndimi nuk lejon anarki, ka mendime ndryshe, anarkistët janë grupe të vockla që thyejnë dritare e ngjyrosin dritare dhe ikin si dhelpra”, tha lideri i BDI-së Ali Ahmeti para qytetarëve të Gostivarit.
Dëgjoj, shtoi ai, me kujdes lidhur me ndryshimet kushtetuese. “Hidhet helm e vrer kundër shqiptarëve, dhe BDI-së po edhe ministrave e funksionarëve të BDI-së, deri në nota fyese si Bujar Osmani e “terrorist”, Artan Grubin, për mua të mos flasim. Kjo nuk është e mirë, partitë kanë për obligim të edukojnë masën. Ky vend është I fortë kur të ketë shqiptar e maqedonas të fortë. Ky është realitet. Ky shtet është i përbashkët dhe nuk ka ekskluzivitet për asnjë palë, as nuk duhet të pretendohet. Lojaliteti ndaj shtetit varet nga lojaliteti që ka shteti për palën tjetër. Ne nuk kemi kontestuar asnjëherë ata, na kanë pasur aleat, po edhe Shqipëria e Kosova”, theksoi Ahmeti. (Indeks.mk)


