Kreu i BDI Ali Ahmeti komentoi për emisionin ‘Çim Peka Live’ iniciativën e ‘Ballkanit të Hapur’, nismë të cilën kryeministri Rama ia faturoi Ahmetit. Ky i fundit deklaroi se prej 20 vitesh ka folur për pajtimin e rajonit duke promovuar se në luftë të përhershme nuk mund të jetohet.
“Në hasmëri të përjetshme nuk mund të mbijetojmë dhe e kam promovuar në kohë shumë të vështira. Duhej të arrihej një pajtueshmëri midis dy komuniteteve më të mëdha këtu në Maqedoni.
Komuniteti maqedonas nuk e mbështeste marrëveshjen paqësore të Ohrit sepse mendonin se shteti nuk do jetë në pronësi të tyre, por pronësia kalon tek shqiptarët.
Jam përpjekur duke thënë se s’jemi fajtorë për luftën, por ata që na mohonin të drejtat, na burgosnin e vrisnin.