Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë fjalës së tij në Samitin e Ohrit, u shpreh për “Ballkanin e Hapur” se “çdo nismë që çon në progres, do të ketë mbështetjen e qeverisë së Malit të Zi”.
“Hapi i parë i marrëdhënieve të mira është dialogu. Dialogu çon që të mos kemi frikë nga njëri-tjetri dhe të bëjmë aktivitete që sjellin progres në rajon. Politikat e theksimit të konflikteve na ka mbajtur këtu ku jemi. Detyra jonë është që ta ndryshojmë këtë. Ne duhet të ndryshojmë veten, nuk mund ta bëjnë të tjerët punën tonë për ne. Nëse liderë të Ballkanit Perëndimor flasin kundër njëri-tjetrit në Bruksel, është vështirë që të na mirëpresin. Që të jemi anëtarë të familjes së madhe evropiane duhet të ndryshojmë sjelljen dhe mentalitetin tonë. Duhet të dërgojmë mesazhe optimiste sepse ne jemi mjaft pesimistë për gjithçka që na ndodh në rajon”, tha Abazoviq.
“Nëse dikush mendon që mund të plotësojë vetë të gjitha nevojat që ka në shekullin XXI, i urojmë fat në rrugën e tij. Ne të Ballkanit Perëndimor meritojmë një histori të mirë dhe duhet ta riformatojmë rajonin duke i zgjatur dorën njëri-tjetrit. Vetëm kështu ndryshohet e ardhmja e Ballkanit Perëndimor”, tha Abazoviq.