VMRO-ja “ua ka marrë dorën” referendumeve manipulative!

– Defetizmi i pashembullt i VMRO-së krijon huti nga interpretime të njëanshme ose jo të plota, për të treguar se VMRO-ja, si “gjithnjë”, mbron interesin kombëtar. Por interesi kombëtar i VMRO-së, s’është gjë tjetër, as e re nga ato që kemi parë deri tash, pos një diskurs manipulativ, që ka për qëllim të krijojë krizë politike për t’u rikthyer në pushtet.

Edhe një, asgjë e re… një referendum më tepër ose më pak, tashmë e parë nga VMRO-DPMNEja?!
Nuk është për ta thënë sa për ironi, vërtet VMRO-ja ua ka “marrë dorën” këtyre referendumeve. I organizon saherë që i nevojitet për vetëpromovim, saherë që ndihet e rrezikuar se mos i bie nami! Një frikë patologjike se elektorati mund ta harrojë “karakterin” e VMRO-së “në mbrojtje të kauzave” të mëdha.
Po shikojmë se kryetari i VMRO-së Hristijan Mickovski, me shtatorin, kthehet krejtësisht i pushuar dhe i gatshëm për t’i zgjidhur problemet që sipas tij po i krijojnë të tjerët. Ai ka ide se si të realizohet referendumi kundër Marrëveshjes me Bullgarinë, që e kanë nënshkruar kryeministrat Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, prej nga buruaka i gjithë problemi aktual. Në qëllimin e tij është që të mblidhen mbi 150 000 nënshkrime dhe referendumi të jetë obligativ, që të mos përsëriten do situata të tjera, kur ai nuk qe i tillë. Sigurisht e ka fjalën për referendumin që s’arriti censusin për Marrëveshjen e Prespës, e që përgjegjësinë për ratifikimin e saj e mori parlamenti.
Betejat e çdo subjekti për kauzat politike janë legjitime, e deri diku edhe metodat. Edhe verifikimi i gjërave për të “matur” vullnetin qytetar në referendum, poashtu. Mirëpo, në këtë qasje të VMRO-DPMNE-së, ka një vazhdimësi politikash të cilat çohen vazhdimisht KUNDËR diçkaje që ka të bëjë me mbylljen e ndonjë kontesti, qoftëtë brendshëm, qoftë të jashtëm. Ato çështje shpesh janë jetike për vendin, përmbyllin ndonjë proces ose hapin ndonjë tjetër në të mirë të shtetit.
Shumëkush do të thotë se VMRO-ja është e prirë të jetë gjithnjë në anën e kundërt të politikave qeveritare kur është në opozitë, ose madje se e ka një ‘huj të lindur” të trajtojë probleme, të cilat ajo vetë i shpikë pa qenë të tilla! Dhe sjellim si dëshmi dy momente nga e kaluara: ishte lideri i VMRO-së që ishte nënshkruar në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, dhe ishte po VMRO-ja që këmbënguli në kohën e implementimit (për ndryshimet kushtetutese) për të mos e jetësuar ashtu si ishte nënshkruar. Bëri dramë, ku i kyçi edhe ndërkombëtarët. Poashtu, dy-tri vite më vonë, krijoi prapë një nga dramat më të mëdha të pluralizmit, referendumin kundër decentralizimit, që ishte një nga obligimet e Marrëveshjes së Ohrit, por që i plasi në dorë si “pushkaliqe”(“petardë”), ngase referendumi i tyre dështoi.
Nëse flasim nga këndvështrimi i interesit shtetëror, Marrëveshja Kornizë ishte një akt që përmbyllte një kontest politik të gjatë të pluralizmit, që ishte interes i shtetit, ku u rreshtuan të gjithë faktorët relevantë, duke përfshirë edhe vetë VMRO-në. Ndërkaq pozicionimi kundër pastaj, tregon joseriozitetin dhe madje destruktivitetin e kësaj partie, që praktikisht në një mënyrë sillet kur është në pushtet, dhe krejtësisht tjetër kur nuk është. Një herë merr obligime, e pastaj çohet kundër tyre!
Shembulli i kundërt është ai që ka të bëjë me Marrëveshjen e Prespës, kundër së cilës kjo parti ishte prej fillimi. Me këtë marrëveshje po ashtu u përmbyll një kontest ndërfqinjësor i hapur më shumë se dy dekada e gjysmë, por që VMRO-ja gjithë kohën ishte kundër. Kundër kur ishte në qeveri, dhe nuk bëri asgjë për ta përmbyllë, kundër ishte edhe si opozitë, kur kryeminsitri Zaev mori guximin që ta përmbyllë bashkë me homologun grek, Cipras. Shumëkush, madje dhe të tillë që kanë qenë kundër kompromiseve me Greqinë, do të thonë tash se ajo ishte një marrëveshje e dobishme, se me parashtesën(prapeshtesën) gjeofrafike as shteti e as populli maqedonas, nuk humbi asgjë nga shenjat identitare(u ruajtën gjuha, nuk u prek historia…). Por, për VMRO-në ishte dhe mbeti një marrëveshje në dëm të interesave shtetërore. Po si do të sillej ndryshe një subjekt i cili kur ishte në pushtet, kryeminsitri i saj thoshte edhe po të arrihet kompromis me Greqinë, do të dal t’u bëj apel qytetarëve në referendum të votojnë kundër?! Të mos flasim për “kontributin” konkret me “Shkupin 2014” me “huazime” nga antika, që doemos ishte për të acaruar raportet me Greqinë!
Nga marrëveshja me Greqinë, nuk u humb asgjë identitare, maqedonasit mbetën maqedonas dhe gjuha e tyre mbeti maqedonishtja, por fitoi shteti duke hyrë në NATO, një nga arritjet me të cilën Maqedonia e Veriut siguroi veten nga çdo kërcënim i jashtëm.
Kjo që e shohim tash me Mickovskin, s’është gjë tjetër, po një kopje “grueviste”, sepse përsërit metodat e njëjta “të sprovuara” me argumente të njëjta. Ky defetizëm i pashembullt krijon huti nga interpretime të njëanshme ose jo të plota, për ta treguar VMRO-në si “gjithnjë”, është një forcë që mbron interesin kombëtar. Por interesi kombëtar i VMRO-së, s’është gjë tjetër, as e re nga ato që kemi parë deri tash, pos një diskurs manipulativ, që ka për qëllim të krijojë krizë politike për t’u rikthyer në pushtet.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet