Spin opozitar, apo strategji, koha do të tregojë. Portali Plusinfo.com, i njohur për qëndrime antiqeveritare, ka gjasë të ketë hyrë “në filmin” opozitar shqiptar. Në një përpjekje për t’i dhënë përkrahje betejës “epike” kundër BDI-së, ky portal spekulon ose “është mirë e informuar”, këtë nuk e dimë, por fakti që del me ide të formimit të “Paktit tripalësh” midis Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa dhe ku e përfshijnë edhe partinë në pushtet, Alternativën e Afrim Gashit, duket qartë se e dëshiron një gjë të tillë.
Duhet thënë se është herët të flitet për zgjedhje, dhe e dyta, nuk është asgjë e re nga partitë opoztiare shqiptare, sepse ato edhe më parë e kanë provuar një gjë të tillë, por kanë dalë të humbura. E reja është se në këtë “projekt të supozuar” portali e fut edhe Altenrativën, e cila ishte në një koalicion të mëparshëm me Aleancën e Zijadin Selës, prej të cilit shënoi rënie, dhe tash gjendet në pushtet. Si do ta kalonte Rubikonin Alternativa, mund të supozojmë, sepse duhet të bëjë edhe një akrobacion të ri, që s’besojmë se do të pritet mirë nga votuesit, të ndërrojë taborin, dhe e dyta, Afrim Gashi, lideri i saj dhe gjithë partia e tij, duhet t’i bjerë në këmbë Bilall Kasamit, të cilin e konsiderojnë si faktor përçarës të Lëvizjes së dikurshme unike të Besës.
Ideja e këtij projekti “madhor”politik qenka që të shfrytëzohet forca e Bilall Kasamit në Tetovë dhe pozicionimi i Arben Taravarit në Gostivar.
Nuk është e re as që disa media të jenë kundër BDI-së, që nuk mund ta konceptojnë ndikimin që ka në qeveri dhe në shoqëri dhe proceset që Maqedonisë ia kanë hapur dyert e NATO-s dhe BE-së. S’është çudi që këtë spekulim apo këtë dëshirë e shpreh publikisht një portal i cili u pozicionua shumë fortë kundër këtyre proceseve dhe në mënyrë histerike vazhdon të trumpetojë një defetizëm të pashembullt kundrejt këtyre proceseve.
Ka një prirje të çuditshme, rastësi ose jo, që opozita shqiptare të ketë përkrahjen e atyre qarqeve politike ose mediale me orientim “ndryshe” nga ato që i ka zgjedhur vendi./Indeks.mk


