Sela bashkëpunimin me VMRO-në e la në gjysmë rruge, Taravari e çon deri në fund!

Një shpjegim interesant për Indeks.mk-në na e dha një intelektual strugan, emrin e të cilit nuk po e përmendim për shkak se gazetarit tonë gjithë këtë ia dha në bisedë të lirë. Mirëpo, mendimin e tij lidhur me turbulencat në Aleancën për Shqiptarët pasi në zgjedhjet për këshill komunal në Tetovë mbeti pa asnjë këshilltar(më parë kishte 3), po e japim, sepse ndoshta më së shumti i afrohet të vërtetës edhe për dorëheqjen e liderit të partisë, Zijadin Selës.
Sela kaherë është dashur të japë dorëheqje, sepse ai ishte bërë pengesë për Aleancën, ishte teza e tij.
Pengesë për çka?
Pengesë që Aleanca të arrinte më shumë sukses në skenën politike, thotë ai. Dhe këtu vjen teza e tij shumë interesante.
“Aleanca lidhi bashkëpunim me VMRO-në në zgjedhjet e fundit lokale, apo jo? E po, atë bashkëpunim Zijadin Sela e la në gjysmë rruge!”, thotë intelektuali nga Struga, dhe jep këtë sqarim: “Ti ose bashkëpunon me dikë, ose nuk bashkëpunon. Nuk mundet edhe njëra edhe tjetra. Sela këtu dështoi. Ai bashkëpunoi me VMRO-në, por në Kërçovë nuk doli publikisht ta përkrahë kandidatin e VMRO-së për kryetar komune. Kështu nuk mundesh. Ndryshe veproi BDI-ja. Kur e përkrahu kandidatin e LSDM-së për kryetar shteti, i qëndroi deri në fund, madje kundër kandidatit shqiptar të opozitës. Sepse ashtu kishte marrëveshje dhe ashtu duhet t’i shkosh deri në fund një projekti politik dhe një marrëveshje. Ky bashkëpunim me VMRO-në i Selës, nuk mund të ishte korrekt, dhe kjo doemos do të kishte pasoja”.
Ky intelektual nuk pajtohet me vlerësimet e përgjithshme në publikun shqiptar se pikërisht ky bashkëpunim i ka kushtuar shtrenjtë Aleancës, jo për shkak se nuk ka pasur guximin ta përkrahë kandidatin e VMRO-së në Kërçovë, por për shkak se hyri në koalicion parazgjedhor me një parti që te elektorati shqiptar përjetohet si nacionaliste dhe shpesh antishqiptare. Sela kishte vepruar, siç kishte vepruar BDI-ja kur e pat përkrahur Selën kundrejt kundërkandidatit maqedonas për kryetar komune në Strugë, që të mobilizonte votuesit shqiptar, por bashkëbiseduesi thotë se ajo ka qenë një situatë tjetër, nuk ka pasur koalicione parazgjedhore.
Ai mbetet në qëndrimin se Zijadin Sela me këtë lloj dualizmi, ishte bërë pengesë, ndaj dhe ishte e logjikshme që të marrë përgjegjësinë. Ndryshe është Taravari, thotë intelektuali strugan, ai është ithtar i bashkëpunimit absolut me VMRO-në dhe se këtë gjë edhe pritet ta realizojë në të ardhmen pa kurrfarë hamendjeje.
Por, duhet shtuar se pakkush nga anëtarësia, e më pak nga votuesit shqiptar, janë të prirur të mendojnë se një bashkëpunim i ri me VMRO-në do të ngritë opozitën shqiptare.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet