Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot ka reaguar ndaj konferencës së kryetarit të Komunës së Tetovës Bilall Kasami lidhur me vendimin për dhënien në pronësi të një objekti për nevojat e Agjencisë së Katastrit. Në reagimin e ekzekutivit thuhet se objekti është në pronësi shtetërore dhe i është dhënë Agjencisë së Katastritë me qëllim të krijimit të kushteve për punë në këtë institucion që do të sigurojë shërbime më efikase dhe në kohë për qytetarët.
“Vendimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është miratuar në bazë të kërkesës nga Agjencia për Kadastër, sepse hapësirat e deritanishme të këtij institucioni nuk janë adekuate për realizimin e obligimeve të punës dhe procedurave të nevojshme, duke marrë parasysh numrin e të punësarve dhe kushtet në këto hapësira.
Gjithashtu, në hapësirat ekzistuese nuk ka kushte as për ruajtjen e materialeve arkivore,dokumentacionet e Kadastrës, si dhe materiale të tjera. Ky material deri më tani gjendej në hapësirat e bodrumit të qendrës tregtare në Tetovë dhe në periudhën e kaluar disa herë ishte përfshirë nga përmbytjet.
Duke pasur parasysh se dokumentacioni i Kadastrës bën pjesë në kategorinë e materialeve arkivore me vlerë të përhershme, duhet të sigurohen ambiente me kushte të përshtatshme që do të mundësojnë mbrojtjen dhe ruajtjen e dokumentacionit të këtij institucioni.
Gjithashtu, kushtet e deritanishme hapësinore nuk janë aspak të përshtatshme për qasje si për të moshuarit por edhe për personat me nevoja të posaçme, gjë që është në kundërshtim me politikën e Qeverisë për të lehtësuar komunikimin e institucioneve me të gjithë qytetarët.
Në këtë drejtim, duam të theksojmë se angazhimi i Qeverisë për qasshmërinë e shërbimeve që janë në kuadër të veprimit të organeve që janë në përbërje të administratës shtetërore do të vazhdojë të jetë politika jonë gjatë miratimit të vendimeve të tilla.
Me këtë vendim përmirësohen shërbimet për qytetarët e Komunës së Tetovës, gjegjësisht mundësohet që ata shpejtë dhe në kohë të marrin shërbimet të cilat iu nevojiten dhe njëkohësisht mundësohen kushte më të mira për punë në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërisë.
Ju informojmë se objekti është në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për këtë pronësi nuk ka shënime tjera, gjegjësisht nuk i është dhënë në shfrytëzim ndonjë institucioni tjetër. Prej aty, në përputhje me Ligjin, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për dhënien në shfrytëzim të përhershëm të kësaj prone Agjencisë për Kadastër të Patundshmërisë.”, thuhet në reagimin e Qeverisë ndaj konferencës së kryetarit të Komunës së Tetovës.
Një vendim i tillë është ndërmarrë fillimisht në mënyrë plotësisht legale me kërkesë të Agjencisë për kadastër në vitin 2021 gjatë kohës kur me komunën e Tetovës ka udhëhequr znj. Teuta Arifi.
Qeveria asokohe ka shqyrtuar arsyeshmërinë e kësaj kërkese për të plotësuar nevojat hapësinore të Agjencisë për kadastër që ka ruajtur dokumentacionet në hapësira joadeakute dhe ka miratuar vendimin, por me kërkesë të komunës edhe ka rikthyer hapësirat në dispozicion të saj.
Kërkesa gjatë këtij viti është ripërsëritur nga ana e Agjencisë për kadastër dhe pa asnjë tendencë negative ashtu si në kohën e zonjës Arifi, Qeveria ka miratuar vendimin që ato hapësira ti kalojnë në shfrytëzim të përkohshëm agjencisë në fjalë.


