Ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare, poeti dhe autori i një sërë këngëve, Jorgo Papingji.
Burime për mediat bëjnë me dije se Papingji ka ndërruar jetë në spital.
Ai ka lindur në Vlorë më 10 qershor të vitit 1942 dhe është autor e poet shqiptar, i njohur për këngët e tij të shumta.
Ai është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, qoftë popullore, të përpunuar apo asaj të lehtë, ku me anë të teksteve të shumta, të shtrira në kohë prej dyzet e ca vitesh në të gjitha Festivalet e RTSH-së dhe në audicionet e tjera muzikore për të rritur e fëmijë, ka krijuar një profil krejt të veçantë poetik e artistik.
Artisti ka shkruar 5 këngë fituese në “Festivali i Këngës”, njëri prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian i Këngës në vitin 2014.
Jorgo Papingji mban titullin “Mjeshtri i Madh”. Ai ka shkruar mbi 4000 këngë.


