Bosnje dhe Hercegovina shënon sot, e martë, 28-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.
Në këtë përvjetor, eshtrat e 30 viktima të gjetura së voni do të shtohen në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,600 viktimave të tjera.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.
Vrasjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.
Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,600 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur.


