Maqedonia e Veriut, si vend kryesues i OSBE-së, do të përpiqet të gjejë një mënyrë për ta kthyer Organizatën në Ukrainë, porositi sot ministri i Punëve të Jashtme dhe kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani i cili në suaza të vizitës së sotme në Ukrainë do ta vizitojë Borodjankën në rajonin e Kievit, i cili fuqishëm është qëlluar nga veprimet e luftës.
Ai tha gjithashtu se komunikimi me Rusinë do të varet nga ajo se si Rusia do të sillet ndaj parimeve dhe angazhimeve të Organizatës, për të cilat Osmani nuk do të lejojë asnjë kompromis, lajmëron raportuesi i MIA-s nga Kievi.
“Shkretimi i qytetit nga agresioni ushtarak kundër Ukrainës më trondit thellë. Shkatërrimi i infrastrukturës jetike dhe vuajtja e popullit ukrainas duhet të ndalet. Nevojitet veprim urgjent për t’i dhënë fund kësaj çmendurie dhe për t’u ofruar ndihmë atyre në nevojë. Duhet të punojmë për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe më pas të rindërtojmë këto zona të shkatërruara”, theksoi Osmani.
Ai në fillim të vizitës në Borodjanka shprehu keqardhjen për të gjitha viktimat e pafajshme dhe mijëra ukrainasit, të cilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për t’iu shmangur pasojave shkatërruese të agresionit ushtarak rus.
“Të gjithë ne që mbështesim Ukrainën jemi në anën e duhur të historisë, në anën e duhur të njerëzimit, duke respektuar të drejtën për jetë”, tha Osmani, gjatë vizitës në terren, e cila zhvillohet mes rënojave, ndërtesave dhe institucioneve të shkatërruara.
Ai theksoi se aksionet ushtarake të Rusisë dëmtuan shkolla, spitale dhe infrastrukturën tjetër shtetërore, që fatkeqësisht vazhdon të dëmtohet apo madje të shkatërrohet tërësisht”.
Njëherit, Kryesuesi i OSBE-së dënoi sulmin në një ndërtesë banimi në Dnipro, ku dy ditë më parë humbën jetën më shumë se 40 persona dhe u plagosën më shumë se 70 të tjerë.
“Nuk ka asnjë justifikim nëse objektivat civile granatohen vazhdimisht. Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjen e civilëve, pengimin e transportit të ujit dhe ushqimit, pengimin e punës së konvojëve humanitarë. Asgjë nuk mund të justifikojë kur fëmijët dhe gratë shtatzëna mbeten pa ngrohje, pa ushqim të mjaftueshëm”, tha Osmani.
Ai theksoi se agresioni i paprovokuar është shkelje e të drejtës ndërkombëtare, kërcënim potencial për rajonin, por edhe një burim frike dhe pasigurie për të gjithë botën”, Osmani kështu theksoi se Organizata do t’i përdorë të gjitha mekanizmat dhe mjetet për të ndihmuar në përpjekjet për t’i dhënë fund, siç tha ai, vuajtjeve dhe shkatërrimit.
Vizita e Osmanit në Kiev është në kuadër të realizimit të njërit prej prioriteteve kryesore të Presidencës – situatës në Ukrainë, me fokus të veçantë tek njerëzit në terren që janë më të prekur nga agresioni ushtarak – Është fjala për popullin!, citojnë nga MPJ. Në kuadër të vizitës në Ukrainë janë planifikuar një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të qeverisë shtetërore të Ukrainës.


