Irani ekzekuton ish zv/ministrin e mbrojtjes

SHTETASI BRITANIKO-IRANIAN ALIREZA AKBARI U DENUA NE 2019 ME AKUZEN PER SPIUNAZH ME BRITANINË E MADHE

Ish zëvendësministri i mbrojtjes i Iranit është ekzekutuar nga autoritetet me akuzën për spiunazh për Britaninë e Madhe. Shtetasi britaniko-iranian Alireza Akbari kishte bërë rrëfime të rreme si rezultat i torturave. Britania më herët e kishte përshkruar dënimin me vdekje si të motivuar politikisht.

Irani ka ekzekutuar shtetasin britaniko-iranian Alireza Akbari, pasi dënoi atë me vdekje me akuzën për spiunazh për Britaninë e Madhe, të cilën ai e mohoi.

Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly, ka deklaruar se Irani nuk duhet të vazhdojë me ekzekutimin një thirrje e bërë jehonë nga Departamenti i Shtetit i SHBA. Britania më herët e kishte përshkruar dënimin me vdekje si të motivuar politikisht dhe bëri thirrje për lirimin e tij.

Familjes së Akbarit iu kërkua të shkonte për t’a vizituar në burg për herë të fundit në fillim të kësaj jave, ndërsa prej disa ditësh ai ishte transferuar në izolim. Në regjistrimin audio të transmetuar nga BBC, Akbari kishte bërë rrëfime të rreme si rezultat i torturave.

“Me më shumë se 3500 orë tortura, droga psikodelike dhe metoda të presionit fiziologjik dhe psikologjik, më hoqën vullnetin. Më çuan në prag të çmendurisë… dhe më detyruan të bëja rrëfime të rreme me forcën e armëve dhe kërcënimet me vdekje. ”, tha ai. Ish-zëvendësministri i mbrojtjes iranian u arrestua në vitin 2019 me akuzat për korrupsion pasi kishte marrë 1,805,000 euro, 265,000 paund dhe 50,000 dollarë për spiunazh.

Media shtetërore iraniane transmetoi ka bërë të ditur se Akbari luajti një rol në vrasjen në vitin 2020 të shkencëtarit kryesor bërthamor të Iranit, Mohsen Fakhrizadeh, i vrarë në një sulm të vitit 2020 jashtë Teheranit, për të cilin autoritetet fajësuan në atë kohë Izraelin. Marrëdhëniet Londër-Tehran janë përkeqësuar muajt e fundit pasi përpjekjet kanë ngecur për të ringjallur paktin bërthamor të Iranit të vitit 2015, në të cilin Britania është palë.

Britania ka qenë gjithashtu kritike për shtypjen e dhunshme të protestave antiqeveritare nga Republika Islamike, të shkaktuara nga vdekja në paraburgim e 22 vjeçares Mahsa Amini në shtator. Gjithashtu Britania po shqyrton përcaktimin e Gardës Revolucionare të Iranit si një organizatë terroriste, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Irani ka lëshuar dhjetëra dënime me vdekje si pjesë e goditjes së trazirave, duke ekzekutuar të paktën katër persona.

GAZETARE: LIVIA KALLFA

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet