Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një prononcim për Indeks.mk dhe Televizionin Klan Maqedoni para fillimit të takimit në Tiranë me kryeministrin Rama, ka folur për qëllimin e takimit dhe ka komentuar edhe akuzat e Lëvizjes Besa se ky takim bëhet për ta shpëtuar BDI-në.
Ahmeti ka thënë në këtë prononcim se BDI-në nuk ka nevojë ta shpëtojë askush, sepse BDI-ja është parti serioze dhe ka platfomë dhe udhëheqë me institucionet e vendit.
Ai ka shtuar se BDI-ja është parti serioze dhe se është parti e mirë-organizuar dhe ka programin dhe vizionin e saj për të ndërtuar platforma të mirëfillta.
“Ky është një takim për fillimviti po edhe për të bërë bilanc të vitit që lamë pas. D.m.th. nuk ka asgjë të organizuar apo siç i kam dëgjuar disa mediume maqedonase që i japin ngjyra etnike. S’ka të bëjë fare me njëanshmëri. Ka të bëjë me rrugët e përbashkëta që i kemi ne dhe Shqipëria. Do të hapet edhe tema e integrimeve të RMV-së në BE. Do të ishte mirë që edhe Besa të ishte në këtë takim, por secili ka vendimet dhe mendimet e veta. Mirëpo sa është produktive ai mendim do ta dëshmojë koha”, tha Ahmeti.
Ai foli edhe për takimin e liderëve që kohë më parë e ftoi edhe Lëvizja Besa. Tha se Besa s’ka kapacitet për të mbajtur një përgjegjësi të tillë dhe se nuk ka qenë radha e saj për të thirrur një takim të tillë.
“Për të thirrur diç të tillë, së pari duhet të kesh imunitet. Lëvizja Besa nuk e ka imunitetin e mjaftueshëm për të marrë përgjegjësi dhe të ftojë takime e tryeza të tilla. Veç kësaj, radhën për të ftuar takimin e përbashkët të partive politike, mos gabofsha, mos më kapni për fjale, e ka pasur PDSH-ja ose Aleanca për Shqiptarët”, tha Ahmeti./indeks.mk/


