“Salushi” kujton ngjarjen e karrierës së tij: Një ndjenjë e rrallë të këndosh para shqiptarëve të Ukrainës

“Me keqardhje po përcjell lajmet për luftën në Ukrainë. Ndonëse nuk kam ndonjë kontakt me ta, rrezikun nga lufta, e ndjej si rrezik të vëllezërve tanë. Ajo që do të doja është që ky agresion i çmendur të përfundojë sa më parë dhe të krijohen kushtet për t’i vizituar prapë dhe për t’u mbajtur koncerte që ata mezi i presin”, kështu midis tjerash u shpreh Selajdin Miftari-Salushi, këngëtari i njohur shkupjan në një intervistë ekskluzive për indeks.mk, duke folur për një vizitë të paharruar të tij dhe ansamblit “Emin Duraku” në mesin e shqiptarëve të Ukrainës, 25 vjet më parë(1998). Në dy koncertet e mbajtura atëherë, praktikisht është këngëtari i parë shqiptar që u këndoi këtyre banorëve me histori të veçantë të ngulitjes në ato hapësira.

Ja si e kujton ai këtë ngjarje:

“Ndoshta gjërat më të bukura janë të rastësishme dhe ajo ngjarje vizitë ndodhi disi ashtu. Ishte një ekspeditë tejet interesante dhe emocionuese, vetëm 3-4 disa vjet pasi përmes Televizionit Shtetëror të Maqedonisë ishin emetuar dokumentarët e njohur të Sefer Musliut dhe Afet Miftarit, kur kuptuam se shqiptarët jetojnë edhe në një vend si Ukraina, ku pakkush e ka ditur.

Ai udhëtim yni nëpër katër fshatrat e banuar me shqiptarë, në dy hapësira të ndryshme nuk mund të harrohet, sepse gjetëm bashkëkombësit tanë të harruar, që flisnin gjuhën tonë ashtu siç e kishin ruajtur, arkaike dhe të përzier me rusisht e ukrainisht, por prapë të ruajtur disi dhe me vetëdije të pastër për origjinën e tyre. Ndaj them se kam pasur fat dhe privilegj që të vizitoj vëllezërit tanë në Ukrainë. Atje shkruam me Ansamblin “Emin Duraku”, bashkë me prof..Haki Imerin, gazetarët Sefer Musliu e Daut Dauti, regjisorin e dokumentarëve të përmendur, Afet Miftarin. Atje përveç koncerteve dhe këngës së bukur shqipe, ua dërguam edhe abetaret dhe librat shqip. Ishte një mision i vërtetë. Dhe për të mos e harruar, në këto katunde gjetëm ngrohtësinë dhe mikpritjen bujare shqiptare te çdo shtëpi dhe njeri që takonim.

Me të arritur atje në fshatin e parë të Ukrainës i cili quhej Karakurt, na pritën si vëllezër dhe motra , na shpërndanë nëpër shtëpi private, ku e ndjenim veten sikur te ishim nipat apo mbesat që kanë shkuar te daja! Gjithë aktiviteti ishte mbresëlënës nga çdo aspekt. I mbajtëm dy koncerte, një në fshatin Karakurt, që është në kufi me Moldavinë, dhe një tjetër, në katundin që më duket se quhej Taz, në brigjet e Detit Azov, për banorët e të tri fshatrave të atjeshme. Bujarinë dhe ngrohtësinë e atyre takimeve, sikundër dhe ngazëllimin që e shihnim në sytë e publikut kur shihnin vallen origjinale shqiptare dhe dëgjonin këngët shqipe, nuk mund të harrohen. Është një përjetim i rrallë. Dhe ju po thoni se unë kam qenë këngëtari i parë shqiptar…Më bën krenar, gjithsesi ky fakt. Në të vërtetë, në ato koncerte bashkë me mua ka kënduar edhe vetë kryetari i Ansamblit tonë, Agim Ismaili, i cili i rrëmbyer nga atmosfera, rikujtoi aftësitë e tij prej këngëtari, pasi rrallë këndonte dhe këndoi edhe ai…

Çka mund të them?… Jemi pritur jashtëzakonisht mirë, vërtet diçka që nuk mund të shlyhet nga kujtesa. Më vjen mirë që po dëgjoj se atje paska shkuar më vonë edhe Kastriot Tusha, me sa di, edhe vizitorë të tjerë nivelesh të ndryshme, kjo tregon se gjërat kanë ecur për të mirë për këta banorë, të cilëve pikërisht këto kontakte ua kanë ngjallur entuziazmin dhe motivin për të qenë pjesë e pandarë e shpirtit shqiptar.

Pikërisht për këtë, me keqardhje po përcjell lajmet për luftën në Ukrainë. Ndonëse nuk kam ndonjë kontakt me ta, rrezikun nga lufta, e ndjej si rrezik të vëllezërve tanë. Ajo që do të doja është që ky agresion i çmendur të përfundojë sa më parë dhe të krijohen kushtet për t’i vizituar prapë dhe për t’u mbajtur koncerte që ata mezi i presin.”

Inervistën e plotë, ku Salushi flet për fillimet e karrierës, për jetën e tij me këngën, për planet për botimin e një monografie dhe shumëçka tjetër, indeks.mk do ta botojë së shpejti.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet