Në pjesën veriore të Kosovës, sot është hequr edhe barrikada e fundit e vendosur nga serbët. Për dallim nga të tjerat, që u larguan nga ata që i vendosën vetë, për këtë të fundit u nevojit ndërhyrja e KFOR-it.
Në veri të Kosovës, përkatësisht te Shkëmbi i Dudës, KFOR ka larguar barrikadën e fundit për të cilën askush nuk kishte ndërmarrë hapa, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kjo pasi, në këtë barrikadë, persona të panjohur kishin djegur kamionët duke shtuar dozën e vështirësisë për t’i hequr, në krahasim me barrikadat tjera.Megjithatë, KFOR gjatë së martës u përkujdes që t’i heq këta dy kamionë, me ç’rast i dhanë fund dramës së barrikadave që serbët nisën.
Një prej dy kamionëve të djegur te Shkëmbi i Dudës. 29/12/2022
Përmes në njoftimi në Twitter, nga KFOR thanë se ky operacion u ndërmorr për të mundësuar lirinë e lëvizjes në atë zonë.
“Misioni i KFOR-it po kryen operacione inxhinierike në veri të Kosovës për të hequr disa automjete të bllokuara në rrugë dhe për të rikthyer lirinë e lëvizjes në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”, ka thënë KFOR.
https://twitter.com/NATO_KFOR?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1610208624831533056%7Ctwgr%5E5321f99c86a942852de7dec308f91a75343d93f7%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Freporteri.net%2Flajme%2Fkfor-largon-barrikaden-e-fundit-ne-veri%2F
Për më tepër se tri javë, një numër i madh barrikadash të vendosura përgjatë veriut të Kosovës bllokuan qarkullimin e lirë të qytetarëve.
Gjithçka nisi me arrestimin e Pantiqit në Jarinjë, ish-polic serb i cili u prangos nën akuzat për terrorizëm ndaj zyreve të KKZ’së në veri të Kosovës, sulm ky që Pantiq e realizoi në valën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave veriore, që në fund u shtyen.
Mjaftoi arrestimi i tij, që të marrin hov edhe dramat e komunitetit serb në Kosovë, përfshirë këtu edhe liderët.
Si për të mos qëndruar duarkryq, ata filluan të grumbulloheshin në kundërshtim, e pikën ia vunë me barrikada, duke mos lejuar transferimin e Dejan Pantiqit në Prishtinë.
Përgjatë të shtunës së 10 dhjetorit, pjesëtarë të komunitetit serb vendosën automjete dhe mjete të rënda në rrugë nacionale të komunave të Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Kjo e detyroi Policinë e Kosovës që t’i mbyllë për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe pas heqjes së barrikadave.
Edhe barrikadave i parapriu një javë mjaft e tensionuar ku pati shpërthime bombash e shkëmbim zjarresh mes bandave kriminale serbe e policëve të Kosovës si dhe shpërthime të tjera e sulme edhe ndaj gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.
Vetëm ndryshimi i aktakuzës të Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak, ndezi shkëndinë e ‘dorëzimit’ të serbëve në Kosovë në raport me barrikadat.
Me t’u bërë i ditur vendimi, mbrëmjen e 28 dhjetorit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq u mblodh kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, me pjesëtarë të komunitetit serb për të diskutuar mbi mundësinë e heqjes së barrikadave.
I thirrur në “shërbim ndaj popullit të tij”, Vuçiq në takim hyri me idenë që do pranonte çdo përgjigje që i japin serbët, pro ose kundër heqjes së barrikadave.
Sidoqoftë, i njëjti doli nga takimi duke deklaruar se barrikadat do hiqeshin, mëngjesin e ditës së ardhshme, të enjten.
Paraprakisht, Vuçiq theksoi se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin, prej të cilave është kërkesa për mos ndjekje penale të personave që vendosën barrikadat. /Reporteri.net/.


