Dy pikë-kalimet kufitare, ai në Jarinjë dhe tjetri në Bërnjak, janë hapur sot për qarkullim pas më shumë se dy javë bllokim si pasojë e barrikadave.
Kështu kanë njoftuar nga Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në njoftim thuhet se barrikadat janë hequr ashtu siç edhe ishin vendosur, çka edhe ka mundësuar hapjen e këtyre dy pikë kalimeve për qarkullim.
“Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
PK po ashtu njofton se zyrtarët policorë në këto dy pika kufitare do vazhdojnë me detyrat e tyre.
“Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.”
“Liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë Policia e Kosovës në vazhdimësi do të angazhohet duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare”.
Kujtojmë se pikë kalimet në Jarinjë dhe Bërnjak ishin bllokuar qysh prej 10 dhjetorit, pas ngritjes së barrikadave nga serbët lokalë në shenjë proteste ndaj arrestimit për terrorizëm të ish-policit serb, Dejan Pantiq. /Reporteri.net/.


