Me nderime të shumta u përcoll pishtari i arsimit, prof. Adnan Agai

Me nderime të larta, sot pasdite në Shkup, u bë varrimi i prof. Adnan Agait, i cili për më shumë se dy dekada kishte punuar nëpër shumë shkolla fillore të Gostivarit dhe në gjimnazin “Zef Lush Marku” të Shkupit.

“Kushdo që e ka njohur nga afër profesor.Adnanin, do të thoshte se ka qenë një njeri i veçantë, një mësimdhënës i përkushtuar dhe i palodhshëm, që shumë gjeneratave shkollore ua ka mbjellë dashurinë ndaj dijes, gjuhës, letërsisë, ndaj historisë kombëtare.”, tha midis tjerash gazetari Daut Dauti, pas ceremonisë fetare t varrimit.

“Profesor Adnani ishte intelektual me vizion dhe i papërulshëm. Që në fillim të viteve të para të pasluftës, si njëzetvjeçar do ta ngre zërin për prapavinë e politikës asimiluese që shqiptarëve në rrethinën e Gostivarit u hapnin shkolla në gjuhë joamtare. Thënia me zë të lartë e kësaj teze ishte armiqësi sipas regjimit dhe kështu me një grup intelektualësh do të gjykohen për mendimin e lirë, për të vërtetën”, tha ish-nxënësi i tij Dauti, për të përkujtuar persekutimin e tij në regjimin komunist dhe vullnetin e pashoq të tij për t’i tejkaluar vuajtjet, me një vullnet dhe energji kreative në hartimin e librave shkollorë dhe fjalorëve shqip dhe maqedonisht në bashkëautorësi me prof. Kimete Agai.

Para ceremonisë së varrimit, Komuna e Çairit organizoi një akademi përkujtimore, ku përveç D.Dautit, për jetën, veprën dhe kontributin në fushën e arsimit, foli edhe kryetari Visar Ganiu.

“Sot, për profesorin Adnan në pikëllim dhe dhimbje nuk janë vetëm familja e tij, jemi të gjithë si një shoqëri dhe ngado ku flitet shqip, në dhimbje është edhe Çairi ynë sepse pikërisht shumë e shumë të rinj që dikur mësonin në gjimnazin “Zef Lush Marku” ku ai ishte mësimdhënës, e fituan dritën e vërtetë të dijes nga profesori ynë, e këtë dritë e përcollën gjeneratë pas gjenerate dhe tani ajo shndërrit edhe më fuqishëm”, tha midis tjerash kryetari i komunës, Visar Ganiu.

Shkrimtari Fejzi Bojku rikujtoi çaste nga jeta e prof.Adnan Agait, bashkëpunimit të frytshëm dhe përkushtimit intelektual në fushën e arsimit dhe të botimeve.

Në emër të familjes Agai, auditorit iu falënderuan vajza Teuta Demjaha dhe i biri, dr.Lulzim Agai.

Dje me një telegram ngushëllimi familjes Agai iu drejtua edhe nënkryetari i parë i Qeverisë, Artan Grubi.

Marketing

spot_img

Të gjithë lajmet