Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Nikollaj Millkov dhe shprehu kënaqësi për bashkëpunimin intensiv mes dy vendeve.
“Bashkëpunimi gjithsesi duhet të thellohet edhe më tutje, për vazhdimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, por edhe në dritën e gjendjes gjeopolitike në të cilën gjendet kontinenti Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë. Theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht bën përpjekje për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal me të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë, me ç’rast për vendin tonë është me rëndësi thelbësore përmirësimi i marrëdhënieve bilaterale me Republikën e Bullgarisë”, bëhet e ditur në kumtesën e shërbimit për informim të Kuvendit.
Nënshkrimi i Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim në vitin 2017 është përparim i rëndësishëm në historinë e të dyja vendeve dhe paraqet bazë të mirë për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Kryetari Xhaferi e përshëndeti edhe mbajtjen e Konferencës politike të parë ndërqeveritare me BE-në në korrik të këtij viti, që rezultoi pas zbatimit të konsultimeve gjithëpërfshirëse politike ndërpartiake për Kornizën e negocimit dhe me miratimin e konkluzave konkrete parlamentare me të cilat u ngarkua Qeveria që negociatat ti udhëheqë në bazë të barabartë dhe parimore, duke i respektuar normat e të drejtës ndërkombëtare.
Theksoi se pret që në të ardhme bashkëpunimi parlamentar mes dy vendeve të vazhdojë të dinamizohet nëpërmjet kontakteve të shumta, si në nivelin më të lartë ashtu edhe në nivelin e komisioneve parlamentare dhe grupeve të bashkëpunimit.
Ministri Nikollaj Millkov falënderoi dhe shprehu respekt të vërtetë ndaj Kryetarit Xhaferi për rolin e tij personal në ndërtimin e shoqërisë multietnike në Maqedoninë e Veriut.
“Informoi për hapjen e sotme të Forumit të biznesit maqedonas-bullgar në Shkup, ku marrin pjesë më shumë se 150 afaristë nga të dyja vendet dhe për të cilin interesi rritet vazhdimisht. Potencoi se në të ardhme duhet të kushtohet vëmendje dhe interes më i madh në ndërlidhjen infrastrukturore përmes Korridorit VIII, me çka do të ndërlidhet Deti i Zi me atë Adriatik dhe do të mundësojë ndikim më të madh në rajon në nivelin botëror”, bëhet e ditur në kumtesë.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se marrëdhëniet e mira ekonomike doemos të shoqërohen me marrëdhënie të mira politike sepse vetëm në atë mënyrë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve do të lëvizin në vijën përpjetë. U pajtuan se nevojitet që dy vendet të vendosin dialog të thelluar dhe thelbësor me qëllim që të gjeten zgjidhje miqësore dhe konstruktive që do i kënaqin të dyja palët në kuadër të interesave dhe pozitave të tyre nacionale.


