Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka zhvilluar sot në Berlin një takim bilateral me ministrin e Shtetit për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë, Leo Doherty, në margjinat e takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme në kuadër të procesi i Berlinit.
Marrëdhëniet e forta ekonomike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila është partneri ynë i dytë tregtar dhe një nga investitorët më të mëdhenj të huaj direkt në vendin tonë, u mirëpritën bashkërisht, veçanërisht të intensifikuara me nënshkrimin e Marrëveshjes dypalëshe për Tregti, Partneritet dhe Bashkëpunim.
Osmani e njoftoi bashkëbiseduesin për negociatat me Bashkimin Evropian dhe hapat e ardhshëm, duke theksuar gatishmërinë e lartë të vendit për një proces të suksesshëm dhe të shpejtë negociues. Ministrat shprehën kënaqësinë për hapin historik me të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut i nisi negociatat, duke shprehur shpresën për negociata të suksesshme me qëllim të anëtarësimit të plotë në Union.
Ministrat diskutuan gjithashtu rolin dhe rëndësinë e Komunitetit të ri Politik Evropian, i cili përfaqëson një përgjigje të mirë ndaj kërcënimit gjeopolitik të agresionit rus kundër Ukrainës. Duke shprehur kënaqësinë për takimin e parë të mbajtur në Pragë, ministrat ranë dakord se komuniteti i ri politik nuk është zëvendësues i politikave të BE-së, përfshirë edhe procesin e zgjerimit, i cili nuk është në rrezik.


