Muharem Serbezovski, këngëtari që përktheu Kuranin dhe librat tjerë të shenjtë në gjuhën rome!
-Përveç hiteve të pavdekshme të këngës popullore rome, ai ka shkruar romane e poezi, ka përkthyer vepra të letërsisë botërore, por për atë që do të mbahet mend, është se për bashkëkombësit e tij me shumë fe, u kujdes që t’ua sjellë librat e shenjtë Kur’anin famëlartë si dhe Dhiatën e Vjetër dhe të Re, që është një kontribut i jashtëzakonshëm
E njohin si këngëtar, ndoshta më i madhi i këngës rome, me origjinë nga Maqedonia, që renditet përskaj emrave të tjerë të famshëm në botën e muzikës, si Esma Rexhepova, Aki Rahimovski, Ajnur Serbezovski, i biri, ose të tjerëve nga ish-trojet e Jugosllavisë, Usnija Rexhepova apo Shaban Bajramoviq dhe shumë të tjerë. Ai fitoi njohje në vitet shtatëdhjetë të shekullit të 20-të kur regjistroi disa regjistrime shumë të suksesshme të muzikës popullore rome. Serbezovski përveç se është interpretues i shkëlqyer, njihet edhe si kitarist, tekstshkrues dhe kompozitor i mirë.
Muharem Serbezovski ka lindur në vitin 1950 në Shkup, në lagjen rome të Tophanës. Ai u rrit në një familje të madhe dhe babai i tij ishte mësues. Shumë herët, ai tregoi interes të madh për shkencën, fenë dhe kulturën te trashëgimtarët e tij. Duke qenë se ishin mjaft të varfër, Muharremi filloi shumë herët të këndonte për të ndihmuar familjen. Më vonë e braktisi Shkupin, për të kërkuar fatin në viset tjera të Jugosllavisë. Në Sarajevë, mbaroi Fakultetin Filozofik dhe më pas mori titullin master. Ai krijoi një familje në kryeqytetin e Bosnje dhe Hercegovinës. Edhe pse ai ka qenë në skenën publike jugosllave që nga fundi i viteve 1960, Serbezovski gjithmonë ka qenë në gjendje ta mbajë jetën e tij private larg syrit të publikut.
Serbezovski njihet edhe si aktivist dhe ish-deputet i Parlamentit të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës. Deri në prill 2010, ai ishte anëtar i Partisë për Bosnjë dhe Hercegovinë.
Për veprimtarinë e tij muzikore, e dinë të gjithë, por më pak njihet ana tjetër e tij, ajo e angazhimit intelektual e krijues. Që në vitet 80-të ai u afirmua si shkrimtar dhe përkthyes. Librin e parë e botoi në vitin 1983, romanin “Xhevahirët e shkruar”. Dy vite më vonë romanin tjetër “Maxhupët e kategorisë A”, kurse në vitin 1986 romanin e tretë, ”Lufta e perëndive jevge”. Në fund të viteve 90-të, ai para lexuesve do të paraqitet edhe me një vepër poetike, “Rrugët e erës dhe jevgjit”, ndërkaq nuk le pa e prekur edhe aspektin e të drejtave, duke shkruar librin “Romët dhe të drejtat e njeriut”.
Në fushën e përkthimit, ai iu rek disa veprave klasike të letërsisë botëre, duke përkthyer në gjuhën rome “Njëqind vjet vetmi” të Markesit, “Luftën dhe paqen” e Tolstoit, “Krimin dhe ndëshkimin” e Dostojevskit etj. Por, ajo që është puna më e veçantë në fushën e përkthimit, është se për bashkëkombësit e tij me shumë fe, u kujdes që t’ua sjellë librat e shenjtë Kur’anin famëlartë si dhe Dhiatën e Vjetër dhe të Re, që është një kontribut i jashtëzakonshëm./desk.al