250 leje për ndërtim janë dhënë vetëm në muajin shkurt. Më shumë leje të reja, 85 janë në Rajonin e Shkupit, i cili pasohet nga ai i Pollogut me 53 dhe rajoni juglindor me 38, tregojnë të dhënat e Entit për Statistika. Në krahasim me shkurtin e vitit të kaluar, leje janë dhënë për 27,7% më pak. Inxhinieri Nexhat Bajrami thotë se një nga arsyet është edhe zvogëlimi i fuqisë punëtore në vend.
“Me krizën në Ukrainë ka fluktuacion i madh i çmimeve të materialeve ndërtimore, ku për shembull hekuri dhe prodhimet e hekurit, ajo çka ne i përdorim më shumë, kanë rritje të çmimeve edhe mbi 80%, krahasuar me muajin shkurt të vitit të kaluar. Po ashtu edhe druri dhe prodhimet e drurit, kanë rritje të çmimit për afro 40-50%, mirëpo rritje më të madhe ka të energjisë elektrike”, theksoi Nexhat Bajrami, inxhinier ndërtimi.
Në 146, apo 58,4% të objekteve si investitorë paraqiten persona fizik, ndërsa në 104, apo 41,6% investitorë janë subjekte afariste. Po a po ndërtohen këto objekte duke iu përshtatur edhe infrastrukturës aktuale?
“Nuk kisha thënë se jemi në norma pasi që posaçërisht në qytetin e Shkupit bëhet ndërtim i madh, ndërsa infrastruktura nëntokësore është ajo që është ndërtuar para 30-40 apo 50 vjetësh. Që të mund ndërtimet e reja t’i përdorin shërbimet e infrastrukturës komunale normal që duhet të bëhet edhe zgjerim ose rikonstruksion i infrastrukturës nëntokësore, gjë që tek ne nuk bëhet”, tha Nexhat Bajrami, inxhinier ndërtimi.
Në e Entit të Statistikave tregohet se është planifikuar ndërtimi i 440 banesave, me sipërfaqe totale prej 40.405 metra katrorë. Prej tyre 182 janë planifikuar në Shkup, përkatësisht 115 në Komunën e Aerodromit, 37 në Karposh, 12 në Ilinden, 9 në Sopishtë ndërsa asnjë në Çair, shkruhet në statistikën e bërë. Rajoni i Shkupit pasohet nga rajoni i Pollogut me 130 banesa të reja, prej të cilave 104 në Gostivar.
Kohë më parë TV21 raportoi se në vitin 2021 është shënuar rekord kur bëhet fjalë për lejet ndërtimi. Janë dhënë gjithsej 7.892 krahasuar me mesataren nga periudha 2017-2020 kur ka pasur 3.670 miratime.