Sot, më 7 Mars 2022 mbushen 135 vjet nga themelimi i Mësonjtores së Parë Shqipe të Korçës, me të cilën u shënua ndër kthesat më të mëdha në historinë e popullit shqiptar e veçanërisht në historinë e Rilindjës Kombëtare Shqiptare. Kjo datë përfaqëson një ngjarje të rëndësishme politike e kulturore në historinë e arsimit kombëtar shqiptar.
Shkolla e parë shqipe fillore kombëtare, ku mësimet mbaheshin në gjuhën shqipe, u themelua në kushtet e pushtimit osman, në Korçë më 7 Mars të vitit 1887. Ajo u hap me inciativën e një grupi rilindasish dhe me përkrahjen e masave patriotike nga Korça, si dhe atyre të mërgimit.
Atëherë drejtor e mësues i parë i shkollës shqipe në Korçë ishte rilindësi e patrioti Pandeli Sotiri.
Shkolla e parë shqipe konsiderohet një institucion kombëtar, si nga përmbajtja, po ashtu edhe nga forma, ngase ishte shkolla e parë shqipe laike për nxënës të të gjitha besimeve, gjinive dhe shtresave popullore dhe demokratike ku mësimi jepej falas. Si e tillë, ajo shkollë u kthye në një vatër të edukimit të vetëdijes kombëtare, sepse këtu mbizotronte parimi i kombëtares mbi ndasitë fetare.